03.10.2025, ora 18:31

Ndërprerjet e energjisë elektrike që kanë prekur disa qytete të Kosovës kanë shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, mes tyre edhe këngëtari dhe deputeti i njohur, Labinot Tahiri – Labi. Ai ka kritikuar ashpër institucionet, duke akuzuar për mungesë reagimi dhe duke bërë thirrje për organizim protestash.

Reagimi i Labinot Tahirit

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Labi tha se Ferizaj, bashkë me shumë zona të tjera, ka mbetur 24 orë pa rrymë – një situatë që sipas tij përbën nënçmim dhe poshtërim për qytetarët. “24 orë pa rrymë, e shtrejtojnë sa të duan dhe askush nuk e ngrit zërin si qytetar i këtij vendi! A është e mundur që një qytet i tërë të mbetet pa rrymë dhe askush mos të reagojë?!” – shkroi ai.

Thirrje për mobilizim qytetar

Sipas tij, pasojat po i ndiejnë rëndë jo vetëm familjet, por edhe bizneset e sektori shëndetësor, ku – siç thotë – profesionalistët hezitojnë të reagojnë publikisht. Ai paralajmëroi se nga e hëna është i gatshëm të marrë nismën për protesta. “Kjo që po ndodh nuk është asgjë tjetër veçse nënçmim, nënshtrim dhe poshtërim i Ferizajt tonë dhe shumë qyteteve të tjera,” – theksoi ai.

Pa dallime politike

Labi kërkoi që protestat të jenë gjithëpërfshirëse dhe pa nuanca politike, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për mbrojtjen e interesave të tyre.

“Mos rrini indiferentë”

Në mbyllje të reagimit, ai u kërkoi qytetarëve të mos qëndrojnë pasivë përballë situatës. “O mileti, mos të dukemi në gjumë si delet, por zgjojuni dhe ngrituni për çdo gjë që prek familjet tuaja.”

Reagime në rrjete sociale

Qëndrimi i Labit ka ndezur debat në rrjetet sociale: një pjesë e qytetarëve shprehin zemërim për ndërprerjet e zgjatura të energjisë, ndërsa të tjerë u kërkojnë institucioneve përgjegjëse sqarime dhe zgjidhje të menjëhershme.

Burimi: Gazeta Express

Exit mobile version