Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përsëritur apelin që partitë dhe subjektet politike të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe respektimin e privatësisë gjatë fushatës dhe ditës së votimit. AIP thekson se këto masa janë thelbësore për integritetin e procesit zgjedhor.

Kërkesat kryesore të AIP për partitë dhe subjektet politike
– Të garantojnë se çdo përpunim i të dhënave personale bazohet në një bazë të qartë ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik ose baza të tjera të parashikuara nga ligji.
– Të mos përdorin të dhënat kontaktuese të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në mënyra të tjera, për qëllime marketingu politik.
– Të mos ekspozojnë të dhëna personale gjatë komunikimit me e-mail, SMS apo thirrje telefonike pa pëlqimin paraprak të personit.
– Të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo moment përdorimin e të dhënave për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndalojnë menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit.
– Të shmangin profilizimin dhe përpunimin masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë zbatuar masa adekuate mbrojtëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit kur kërkohet.
– Të sigurojnë transparencë të plotë për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika të qarta, të thjeshta dhe lehtësisht të qasshme të privatësisë.

AIP shpreh gatishmëri për bashkëpunim me partitë dhe subjektet politike, me qëllim që të mbrohen dhe ruhen të dhënat personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat ligjore gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Burimi: Gazeta Express

Exit mobile version