Britania e Madhe ka vendosur sanksione ndaj asaj që i përshkruan si banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një strukturë në Kosovë, të dyshuara për falsifikim dokumentesh që shfrytëzoheshin më pas për trafikim njerëzish.

Rrjeti Krasniqi i sanksionuar
Sipas Qeverisë britanike, në bashkëpunim me autoritetet në Kosovë është goditur me sanksione Rrjeti Krasniqi, një grup kriminal me qendër në Kosovë, i cili kishte drejtuar një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të rreme. Shteti britanik thotë se organizata është përgjegjëse për prodhimin dhe furnizimin e dokumenteve të falsifikuara për grupe të tjera kriminale.
Grupi dyshohet se ka krijuar pasaporta, letërnjoftime dhe leje drejtimi të më shumë se 50 shteteve, përfshirë edhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Kush u përfshi në listën e sanksioneve?
– Burim Krasniqi – përshkruhet si drejtues i rrjetit.
– Arif Krasniqi – ndërmjetës që siguronte klientë për shërbimet e grupit.
– Flamur Krasniqi – anëtar, në posedim i janë gjetur dokumente të falsifikuara.
– Valon Krasniqi – i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të rreme.
– Sami Duriqi – i angazhuar në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
– Granit Avdyli – i përfshirë në prodhim dhe në reklamimin e shërbimeve të grupit.
– Nexhmie Selmani – ka ofruar objektin e përdorur për falsifikim dhe pajisje për këtë qëllim.
– Endrit Emerllahu – i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të rreme.
– Shembim Emerllahu – anëtar i grupit, të cilit i janë gjetur dokumente të falsifikuara.

Deklarata e kryeministrit britanik
Ka një korridor kriminal nëpër Ballkanin Perëndimor që çon migrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne jemi të vendosur ta mbyllim atë duke bashkëpunuar me partnerët evropianë, deklaroi kryeministri Keir Starmer, në lidhje me samitin e Procesit të Berlinit që mbledh udhëheqësit e rajonit. Temat e diskutimit përfshijnë uljen e migrimit të paligjshëm, sigurinë rajonale dhe kërcënimet e përbashkëta.

Masa të tjera ndëshkuese
Mbretëria e Bashkuar sanksionoi edhe Nusret Seferoviqin, i cilësuar si drejtues i një bande kroate që furnizonte grupe në Ballkan me pasaporta kroate të falsifikuara. Gjithashtu, dy persona të tjerë dhe një kompani tregtare u vendosën nën sanksione për pjesëmarrje në një rrjet që transferonte para dhe blinte pjesë për mjete lundruese të vogla, të përdorura nga bandat për të lehtësuar migrimin e paligjshëm.

Efektet e sanksioneve
Autoritetet britanike thanë se këto masa janë një hap i radhës në luftimin e rrjeteve kriminale që nxisin migrimin e paligjshëm. Sipas Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, veprimet e deritashme kanë ndihmuar në uljen e numrit të migrantëve nga Ballkani Perëndimor, nga 140.000 në 21.000.

Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL).

Exit mobile version