Reagimi i Dafinës
Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri ka reaguar ashpër pasi foto dhe video nga varrimi i Eldionit, vëllait të këngëtarit Gjesti, u shpërndanë masivisht në portale dhe rrjete sociale.

Në një shkrim të gjatë në rrjete, ajo u shpreh e tronditur nga ajo që pa, duke kritikuar mënyrën si përdoren platformat online për vëmendje në kurriz të dhimbjes së të tjerëve. “Rrjetet sociale kanë fuqi, por edhe rrezik. Janë ndërtuar mbi vëmendjen, por nuk duhet të ngrejnë në piedestal llojin e gabuar të saj. U trondita kur pashë njerëz teksa filmonin me telefona në një varrim. Disa ‘VIP-a’ jepnin intervista dhe shfaqeshin online me atë që u ishte thënë. Disa prej të ashtuquajturve gazetarë bënin pyetje të parëndësishme, duke e kthyer dhimbjen e një familjeje në skenë për veten e tyre. Kjo është e pakuptimtë, çnjerëzore dhe thellësisht mosrespektuese. Momente që duhej të mbeteshin private u shndërruan në një cirk,” shkroi ajo.

Mesazhi për djalin
Dafina ndau edhe një reflektim personal, duke theksuar vlerat që synon t’i përcjellë të birit: “Një ditë do t’ia mësoj djalit tim: këto janë njerëzit prej të cilëve duhet të mbahesh larg, sepse japin shembullin më të keq. Njerëzillëku nuk duhet të shitet kurrë për vëmendje.”

Thirrje për respekt
Ajo e mbylli mesazhin me një apel të qartë për etikë dhe humanitet: “Vëmendja s’mund të ndërtohet kurrë mbi dhimbjen e tjetrit.”

Reagimet e publikut
Qëndrimi i Dafinës u mirëprit nga shumë fansa, të cilët e vlerësuan si një zë të guximshëm kundër banalizimit të dhimbjes dhe kthimit të tragjedive në spektakël publik. Postimi rikujton nevojën për standarde etike dhe respekt në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos në momente të ndjeshme që prekin familjet dhe komunitetin artistik.

Burimi: Gazeta Express (01/10/2025, 21:36)

Exit mobile version