Vlerësimi paraprak i DNV-së

Zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan në një klimë kryesisht të qetë dhe demokratike, me pjesëmarrje të lartë. Administrimi i ditës së votimit dhe publikimi i rezultateve u bënë me efikasitet, duke krijuar bazë për formimin në kohë të institucioneve. Ky është vlerësimi paraprak i Demokracisë në Veprim.

Eguen Cakolli, menaxher i programeve në koalicionin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, foli për vlerësimin e procesit, mbarëvajtjen e ditës së votimit, sfidat institucionale gjatë administrimit të tij, si dhe pritshmëritë për certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e institucioneve.

Standardet dhe mbarëvajtja e procesit

Sipas Cakollit, zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira e konkurruese. Procesi i votimit kaloi në një atmosferë të qetë, pa incidente serioze që do të cënonin integritetin e votimit apo besimin publik në rezultat. Dalja e votuesve ishte e lartë, ndërsa shumica e parregullsive të vërejtura nga vëzhguesit e DNV-së ishin të natyrës procedurale dhe pa ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e përgjithshëm.

Politizimi i KQZ-së dhe lista e votuesve

Ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve funksionoi në një nivel politizimi pothuajse të paparë më parë. Për votimin jashtë vendit, përqindja e votuesve që u paraqitën në përfaqësitë diplomatike kaloi 84%.

Sa i takon listës së votuesve, ajo mbetet një problem strukturor. Megjithëse KQZ ka ndërmarrë hapa për pastrim, lista vijon të numërojë mbi 2 milionë emra, rreth 500 mijë më shumë se numri i banorëve rezidentë sipas matjeve të fundit të popullsisë, çka tregon nevojën për ndërhyrje më afatgjata.

Çështjet e ditës së votimit

Vëzhguesit e DNV-së raportuan identifikim të votuesve me dokumente të pavlefshme ose me afat të skaduar në të paktën një të tretën e vendvotimeve, përkundër ndalesës ligjore, megjithëse numri i rasteve ishte i kufizuar, deri në 10 të tilla.

Në gati dy të tretat e qendrave dhe vendvotimeve, pati votues që u njoftuan se u kishte ndryshuar qendra e saktë e votimit. Nga ana tjetër, për shkak të rregullave më të rrepta të KQZ-së, votimi me asistencë ka rënë ndjeshëm dhe tashmë përfaqëson më pak se 1% të elektoratit që voton me ndihmë.

Fotografimi i votës u identifikua si problemi kryesor edhe këtë herë: u raportuan 32 raste në mbi 20 vendvotime.

Publikimi i rezultateve

Një zhvillim pozitiv ishte publikimi i shpejtë, i plotë dhe pa vonesa i rezultateve nga KQZ. Me mbi 90% të rezultateve të përpunuara, publikimi u bë vetëm pak orë pas mbylljes së votimit.

Fushata dhe përdorimi i resurseve publike

Fushata ishte e personalizuar rreth liderëve partiakë dhe me përfshirje të pabarabartë të qytetarëve. Sipas DNV-së, fushata u shoqërua edhe me vendime që bien ndesh me garën e barabartë dhe me ndalimin e përdorimit të resurseve publike. Veçanërisht theksohet vendimi i qeverisë, pak ditë para votimit, për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët, i cili ndikoi në garë duke krijuar pabarazi dhe duke i dhënë avantazh partisë në pushtet ndaj kundërshtarëve.

Burimi: Demokracia në Veprim

Exit mobile version