Pas nisjes së hetimeve për procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës, dyshime të ngjashme janë shfaqur edhe në disa komuna të tjera. Zyrtarë të partive politike kanë sinjalizuar parregullsi në Shtime, Junik dhe Malishevë, duke kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë.
Shtime: dyshime për manipulime me vota
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka ngritur sot shqetësime për shkelje serioze në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, Komuna e Shtimes. Sipas tij, janë evidentuar shenja të përdorimit të metodës së njohur si “Treni Bullgar”, është gjetur një fletëvotim i falsifikuar dhe mungon fletëvotimi origjinal. Gashi, përmes një postimi në rrjete sociale, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe organeve të tjera hetimore që të nisin menjëherë hetime të plota e të paanshme. Ai ka theksuar se, nëse dyshimet vërtetohen, rasti nuk duhet të kalojë pa pasoja ligjore, sepse cenon vullnetin e qytetarëve dhe integritetin e procesit demokratik. Po ashtu, ka kërkuar që KQZ dhe institucionet përgjegjëse të garantojnë proces të ndershëm, transparent dhe të mbrojtur nga manipulimet.
Junik: kërkesë për hetim të regjistrimeve të votuesve
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga prokuroria hetim të procesit zgjedhor në Junik. Ai ka deklaruar se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave të tjera, duke shpjeguar se shumë persona janë regjistruar si votues të Junikut në mënyrë të organizuar. Haradinaj ka kërkuar nga KQZ publikimin e listës zgjedhore të kësaj komune, duke e cilësuar situatën si skemë të dominimit numerik me karakter penal që duhet hetuar urgjentisht.
Malishevë: PDK alarmon për prani të paautorizuar në qendrën e verifikimit
Dega e PDK-së në Malishevë ka shprehur mbrëmë shqetësimin e saj për procesin e verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve. Në reagimin e saj thuhet se në qendrën e verifikimit është vërejtur prania e kandidatëve të Nismës Socialdemokrate, Safet Morina dhe Hafir Rexha, gjë që, sipas tyre, është rreptësisht e ndaluar me ligj dhe me rregullat e KQZ-së. Përveç kësaj, ata pretendojnë se persona të paautorizuar, struktura të Nismës dhe portale të afërta me ta po lëvizin lirshëm në hapësira të rezervuara vetëm për komisionerë dhe vëzhgues të certifikuar, duke cenuar integritetin e procesit. PDK Malishevë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga KQZ dhe organet përgjegjëse për të siguruar numërim të drejtë e transparent, duke theksuar se “vota e qytetarëve është e shenjtë”.
Burimi: deklarata dhe postime publike të PDK-së, AAK-së dhe degës së PDK-së në Malishevë
