Vizitat në Hagë dhe lidhja me babain
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, rrëfen momente personale nga vizitat te i ati në Hagë. Në një bisedë në “Grida Duma Podcast”, ai tha se familjes i lejohen deri në tre vizita në muaj dhe se e takojnë rregullisht, për të ruajtur lidhjen edhe në rrethana të vështira. “Flasim për shumë gjëra: përditshmërinë e tij, librat që lexon. Çasti më i rëndë është fundi i takimit, kur duhet ta lëmë brenda; është një dhimbje e jashtëzakonshme,” u shpreh ai.
Krenaria dhe trashëgimia
Endriti tha se ndihet me fat që është djali i Hashim Thaçit, duke e cilësuar këtë si një privilegj të veçantë. “Jam me fat dhe shumë i lumtur që jam djali i tij: i një çlirimtari që e fitoi luftën kundër Serbisë, një arkitekti të pavarësisë së Kosovës bashkë me shokët e tij. Përgjegjësia është e madhe, por krenaria dhe gëzimi janë në kulm,” theksoi ai.
Roli i kryefamiljarit
Ai foli edhe për momentin kur iu desh të merrte rolin e kryefamiljarit. “S’e kisha imagjinuar që kaq i ri do të mbaja këtë barrë. Isha 21 vjeç kur babai shkoi në Hagë. Sa herë që e vizitojmë, më porosit të kujdesem për mamin dhe gjyshen,” tregoi Endriti, duke përshkruar si i është ndryshuar jeta.
Pyetja për dashurinë
Në pjesën e intervistës për jetën personale, Grida e pyeti: “Kur të biesh në dashuri, me kë do të flasësh?” Endriti u përgjigj: “Nuk kam rënë ende në dashuri; kur të ndodhë, e para me të cilën do të bisedoj është nëna.”
Burimi: Info Kosova
