Trileri aksion The Running Man, i bazuar në romanin e Stephen King, vjen së shpejti në ekranet e mëdha. Pas adaptimit kult të vitit 1987 me protagonist Arnold Schwarzenegger, versioni i ri vë në qendër Glen Powell. Filmi, që pritet të shfaqet në kinema më 13 nëntor, përshkruhet si një përzierje e tonit të errët të King dhe estetikës së adaptimit të dikurshëm.
Si ndryshon nga romani
Dallimi më i theksuar nga libri konsiderohet zgjedhja e Powell-it si protagonist. Në roman, Ben Richards përshkruhet si atletik, por i nën peshë për shkak të dekadave të varfërisë; në filmin e ri, ai do të afrohet më shumë me interpretimin që i dha Schwarzenegger.
Transformimi fizik i Glen Powell
“E dija se Ben Richards përmendet si një ‘tank’ në librin e King. Mendova: ‘Mirë, duhet të dukem si armë’. Prandaj u stërvita posaçërisht: fitova shumë masë muskulore dhe bëra stërvitje funksionale që të përballoja goditjet. Gjithçka për të dalë sa më autentik para publikut,” tha Powell për revistën GQ.
Mbështetja e Tom Cruise
Powell thotë se vizionin e tij e ndihmoi ta kristalizonte legjenda e aksionit Tom Cruise. Ata u afruan gjatë xhirimeve të Top Gun: Maverick, megjithëse fillimisht Powell hezitonte ta pranonte rolin. Ai u përpoq për rolin e djalit të Goose, i cili përfundimisht i shkoi Miles Teller. Më pas iu ofrua roli dytësor i Lt. Jake “Hangman” Seresin, por në fillim e refuzoi, pasi synonte rolin kryesor. “Kalova nga një aktor që thjesht po bënte një film, në dikë që stërvitej si një atlet elitar. Jam me fat që kisha dikë si Tom, të cilit mund t’i thosha fjalë për fjalë: ‘Çfarë duhet të bëj për ta përballuar këtë?’”, shtoi ai.
Këshillat për famën dhe disiplinën
Cruise e bindi ta pranonte punën, dhe aty nisi miqësia e tyre dhe raporti si mentor. Sipas Powell, Cruise i dha këshilla jo vetëm për përgatitjen fizike, por edhe për ta menaxhuar rritjen e shpejtë të famës. “Ai më tha: ‘Do të bëhet shumë zhurmë. Detyra jote është ta ulësh zhurmën. Mos harro, ti e kontrollon çelësin’. Mësova të mbështetem te instinktet e mia dhe kjo më ndihmoi jashtëzakonisht,” shpjegoi aktori.
Burimi: KosovaPress
