Opinioni i ditës pas zgjedhjeve
Një ditë pas votimit, ish-kryeministri Albin Kurti doli me tone hakmarrëse duke kërkuar “prerje kokash” dhe duke i drejtuar gishtin exit-polleve kontradiktore për Mitrovicën. Ironikisht, Vetëvendosja del se është e vetmja parti në Kosovë që, sipas gjuhës së vet Kurtit, ka përfituar nga “inxhinieringu i paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor”. Për herë të dytë brenda këtij viti, Instituti me prirje proruse nga Lublana, IFIMES, i ka bërë jehonë VV-së me analiza të natyrës spindoktoruese. Me Martin Berishajn si hallkë lidhëse, një analizë e publikuar katër ditë para zgjedhjeve paralajmëroi fitore të theksuar për partinë e Kurtit dhe për Listën Serbe – pikërisht në muajin kur Rusia mori presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB. Sipas burimeve të përmendura, IFIMES-i është prej atyre instituteve “të pavarura” që në prapaskenë udhëhiqen nga shërbimet ruse. Oficeri 45-vjeçar i Shërbimit të 5-të të FSB-së, Artem Sergejeviç Kureyev, përmendet si kontakti kyç i drejtuesve të këtij instituti slloven. Shprehja latine “Et tu, Brute?” mund të rimendohet si “Edhe ti, Albin?”
Col MEHMETI
13 tetor 2025
IFIMES parashikon fituesit para zgjedhjeve
Katër ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, i ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) publikoi parashikimet për rezultatin. Ashtu si më 24 janar, kur favorizoi partinë e Albin Kurtit, edhe kësaj here “analiza” nga Lublana sugjeroi se Kosova del më mirë nëse fituese dalin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.
Raporti u publikua të martën e javës së kaluar me titullin “Roli i Rusisë, ShBA-së dhe BE-së në riformësimin e peizazhit politik”. Sipas tij, këto zgjedhje lokale kanë peshë të veçantë për stabilitetin politik, integrimin e komuniteteve minoritare dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit. Në bord, ndikim të madh i atribuohet edhe Martin Berishajt, i afërt me rrethin e ngushtë të ish-kryeministrit Kurti.
Rusia, faktor përcaktues?
IFIMES e nis analizën me një përmbledhje të qëndrimeve ndërkombëtare ndaj Kosovës: sipas saj, Uashingtoni ka mbajtur një pozicion më të rezervuar ndaj qeverisë së Kurtit lidhur me detyrimet kyçe, ndërsa Brukseli synon të vazhdojë dialogun përmes kushtezimeve dhe mbështetjes financiare. Më pas, fokusi zhvendoset te Rusia, e cila që prej tetorit kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me pritje që agjenda të përfshijë Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.
“Rusinë e keni kudo…”
Në kundërshtim me përpjekjet e Perëndimit për të frenuar ndikimin rus në Ballkan, analiza e IFIMES-it e përshkruan Moskën si lojtar të pashmangshëm për shkak të lidhjeve historike me Serbinë dhe kundërshtimit ndaj pavarësisë së Kosovës. Edhe tërthorazi, pretendon raporti, Rusia është e pranishme: ajo vëzhgon pikat e nxehta në veri dhe amplifikon kritikat ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës. Instituti, i njohur për qëndrimet e tij proruse dhe që dikur i dha “nderi” Albin Kurtit, paraqet këto ndërhyrje me tone relativisht pozitive, madje duke thënë se Moska merr pjesë në kornizimin rajonal dhe në diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe themelimin e BKS-së. Kështu, zgjedhjet lokale të 2025-s paraqiten si proces me dimension ndërkombëtar, ku Moska shfaqet si aktor i rëndësishëm i jashtëm.
Shqipëria si “kujdestare” e Kosovës?
IFIMES ka shfaqur ndër vite simpati dhe antipatí ndaj figurave dhe partive të caktuara në Kosovë e Shqipëri. FV përfiton shpesh nga analizat e tij, ndërsa PDK dhe Edi Rama janë kritikuar në ton negativ. Në raportin e fundit, autori pa emër thekson se zhvillimet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut ndikojnë drejtpërdrejt në Prishtinë, por “halli në sy” duket të jetë Shqipëria: “Shqipëria pashmangshëm luan rolin e vet, duke synuar një lloj ‘kujdestarllëku’ mbi Kosovën”, thuhet në analizë.
Pikat e brishta: varfëria, papunësia, migrimi
Edhe pse e servirur në favor të Kurtit, analiza shënon se pas zgjedhjeve duhet adresuar rritja e frustrimeve socioekonomike. IFIMES citon ASK-në: papunësia në 2024 ishte 10.8%, ndërsa migrimi – i nxitur sidomos pas liberalizimit të vizave – vijon të rritet. Megjithatë, këto fenomene nuk ia vë në barrë drejtpërdrejt VV-së apo Kurtit.
BKS në qendër të dialogut
Pika e nxehtë që qeveria e Kurtit e ka shmangur publikisht për vite, BKS-ja, del hapur në analizën e IFIMES-it: nëse zgjedhjet mbahen sipas standardeve ndërkombëtare, ato mund të hapin një fazë të re në dialogun Prishtinë-Beograd. Çështja kyçe mbetet themelimi i BKS-së dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e ShBA-ve.
Rikthimi i Listës Serbe
Analiza e publikuar katër ditë para votimit parashikoi se Lista Serbe rikthehet si forcë udhëheqëse në dhjetë komuna (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë, Kllokot, Ranillug, Novobërdë dhe Partesh). Edhe pse VV kërcënoi me “përjashtim” të LS-së për efekt elektoral, vlerësimi është se partia e Kurtit pret rikthimin e saj në institucione si rruga e vetme për të zbutur izolimin ndërkombëtar të vendit. Sipas IFIMES-it, rezultati i LS-së do të ndikojë drejtpërdrejt në integrimin e komunitetit serb dhe në zbatimin e zotimeve, përfshirë BKS-në.
IFIMES: Stabiliteti me VV-në dhe Listën Serbe
Në përmbyllje, analiza thekson “roli pivotal” i Vetëvendosjes si forca kryesore shqiptare dhe i Listës Serbe si përfaqësuese e komunitetit serb. Sipas IFIMES-it, stabiliteti, integrimi i pakicave dhe forca institucionale e Kosovës lidhen ngushtë me suksesin elektoral të këtyre dy partive. Pjesëmarrja e LS-së vlerësohet si kyçe për ruajtjen e paqes dhe shmangien e polarizimit etnik, ndërsa suksesi i VV-së konsiderohet riafirmim i legjitimitetit të qeverisë së Kurtit dhe përforcim i pozitës së Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe Beogradin.
Simpatitë dhe antipatitë e IFIMES-it
IFIMES është bërë i zëshëm edhe për Shqipërinë, veçanërisht para zgjedhjeve dhe sezonit turistik, duke akuzuar se PS e Ramës ka ngritur një “regjim hibrid” me reminishenca të Millosheviqit dhe Enver Hoxhës. Instituti ka prodhuar gjithashtu analiza pozitive për figura në konflikt me Perëndimin. Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, u lavdërua për “rezultate ekonomike”, tri ditë para zgjedhjeve presidenciale ku ai mori 87.6% të votave – rezultat që BE e cilësoi të manipuluar dhe ofendim ndaj demokracisë, me paralajmërim sanksionesh të reja. Një shërbim i ngjashëm u rezervua edhe për Albin Kurtin dhe VV-në, rreth dy javë para zgjedhjeve parlamentare: më 24 janar, IFIMES e shpalli VV-në të pakalueshme nga LDK ose PDK, madje me parashikim deri në 59% të votave.
Çfarë ka zbuluar Nacionale për IFIMES-in
Gjatë vitit, Nacionale ka rindërtuar lidhjen e veçantë të IFIMES-it me Vetëvendosjen që nga viti 2016, kur Kurti u trajtua si mysafir i nderit, njësoj si figura të tjera me qëndrime antiperëndimore. Në prag të zgjedhjeve të 2019-s dhe 2025-s, Instituti e ngriti VV-në përballë rivalëve. Ndërkohë, IFIMES-i i ka portretizuar negativisht ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreun e Kuvendit, Kadri Veseli, PDK-në dhe AAK-në, si edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Si pasojë e polemikave, disa anëtarë kroatë të bordit – përfshirë Stjepan Mesić, Budimir Lončar dhe Jadranka Kosor – dhanë dorëheqje. Po ashtu u largua edhe analisti boshnjak Muhamed Borogovac, i cili akuzoi drejtuesit Bakhtyar Aljaf dhe Zijad Bećirović për infiltrime të agjentëve serbë.
Dyshimet për financim dhe lidhje me Berishajn
I themeluar më 2002 në Lublanë, IFIMES pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale dhe se ka status konsultativ në ECOSOC që nga 2018. Por transparenca financiare shpesh është vënë në pikëpyetje. Në shkurt 2023, kur në Slloveni shpërtheu skandali i pastrimit të parave ku u përfshi edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në skemë u përmend edhe IFIMES-i, në raport me GEN-in e Beogradit dhe rrjetin e tij. Në Slloveni e Kroaci, raportet e IFIMES-it prej kohësh merren me rezervë; sondazhet e tij janë cilësuar joserioze dhe të favorshme për porositësit, me karakter më shumë spiunazhi sesa analize.
Fijet me Moskën: Bajrektarević dhe Kureyev
E përjavshmja gjermane Die Zeit, në maj të vitit të kaluar, publikoi analizën “Propaganda aus Moskau”, ku shqyrtoi veprimtarinë e agjenturave ruse në Austri. Në qendër doli profesori boshnjak Anis Bajrektarević, drejtues i Departamentit për Studime Strategjike në IFIMES, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar Akademinë Diplomatike të Vjenës për të ftuar figura që përputhen me narrrativat ruse. Sipas Die Zeit, ai ka pasur kontakte në Moskë me Artem Sergejeviç Kureyevin. Shërbimet perëndimore e përshkruajnë Kureyevin si informator të shërbimeve ruse, me një rrjet propagande që rekrutonte edhe për grupin Wagner. Si pjesë e FSB-së, ai dyshohet se orkestron fushata dezinformuese në Evropë dhe Afrikë dhe qëndron në listat e sanksioneve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Monakos dhe Ukrainës që prej vitit 2016.
Burimi: Nacionale
