Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka ngritur shqetësime për manipulime me vota në Shtime, duke thënë se është gjetur një fletëvotim i falsifikuar ndërsa mungon origjinali, si dhe ka përmendur dyshime për metodën e njohur si “Treni Bullgar”.

Deklarata
Prishtinë, 15 tetor 2025
Nga pozita ime si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shpreh shqetësimin tim të thellë për parregullsitë e rënda të konstatuara në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, Komuna e Shtimes.

Sipas të dhënave të paraqitura, ka indikacione të qarta për shkelje serioze të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e “Trenit Bullgar”, gjetjen e një fletëvotimi të falsifikuar dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente ngritin dyshime të forta për vepra penale që cënojnë integritetin e zgjedhjeve.

Thirrje për hetim
U bëj thirrje institucioneve kompetente — Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe organeve të tjera hetimore — të nisin menjëherë një hetim të plotë, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës për këtë rast, me qëllim sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Pasojat nëse dyshimet konfirmohen
Nëse këto dyshime vërtetohen, rasti nuk duhet të kalojë në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cënon vullnetin e qytetarëve është rrezik serioz për procesin demokratik. Çdo kërkesë e mëvonshme e subjekteve politike, pavarësisht përkatësisë, do të jetë legjitime dhe e arsyeshme, pasi vullneti i popullit duhet të mbrohet dhe të respektohet në çdo rrethanë.

Standardet zgjedhore
KQZ dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, transparent dhe i mbrojtur nga çdo formë manipulimi.

Ilir Gashi
Anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)

Burimi: Postimi i Ilir Gashit, anëtar i KQZ-së (15 tetor 2025)

Exit mobile version