Dimri Mavidad në Bernabeu
Këtë dhjetor, Bernabeu është shndërruar në një park dimëror me temë Real Madrid: një rrëshqitëse gjigante nga tribunat deri në nivelin e fushës, një pistë akulli, stenda dhe kënde me çokollatë të ngrohtë, të gjitha aty ku zakonisht shtrihet tapeti i gjelbër. Kjo është pjesë e planit të klubit për të rritur të ardhurat nga stadiumi i rikonstruktuar. Në nëntor, NFL zbriti në Bernabeu, ndërsa artistë si Taylor Swift kanë mbajtur koncerte aty, të cilat u pezulluan pas padive të banorëve fqinj për zhurmën. Ideja është të forcohen financat dhe të shlyhen kostot e rinovimit ikonik: deri tani, janë investuar rreth 1.3 miliardë euro, rreth 87 për qind me hua.

Të ardhurat nga stadiumi dhe potenciali
Në sezonin 2024-25, të ardhurat nga stadiumi arritën në 326 milionë euro, një shumë e madhe sipas ekspertit të financave të futbollit Chris Weatherspoon te The Athletic, por që, sipas klubit, ende mbetet nën potencialin e Bernabeut. Eventet dhe koncertet sollën 15.4 milionë euro, por pas shtatorit 2024 nuk u lejua asnjë aktivitet i tillë.

Nga pemët e Krishtlindjes te fusha për ndeshje
Mavidad mbyllet sot. Deri të shtunën, pemët e Krishtlindjes do të jenë hequr dhe fusha do të rikthehet nga poshtë, duke u nxjerrë në sipërfaqe me një sistem të ndërlikuar shiritash transportues. Të dielën, me rikthimin e La Ligës pas pushimit dimëror, skuadra e Xabi Alonsos pret Real Betisin.

Si funksionon hipogeumi
Nën stadium qëndron një vepër gjigante inxhinierike, e përshkruar si e para në botë nga ata që morën pjesë në projektim dhe ndërtim. Brenda klubit quhet hipogeumi, një term që vjen nga varrezat nëntokësore të lashtësisë. Struktura shtrihet rreth 25 metra nën anën perëndimore dhe kalon shumë pranë një linje hekurudhore metroje. Arkitekti Jorge Vizcaya nga SENER thotë se tuneli i trenit praktikisht përshkon cepin verilindor të stadiumit dhe mjafton një devijim prej një centimetri që ta prekte atë.

Bar i tërheqshëm dhe segmentet e fushës
Fusha është e ndarë në gjashtë seksione, secili 11.67 metra i gjerë dhe 107 metra i gjatë. Kur duhet ndërruar, një mekanizëm i sofistikuar i palos me kujdes modulet dhe i zbret ato në thellësi. Kjo i lejon Madridit ta zëvendësojë shpejt dhe me efikasitet sipërfaqen e lojës ose ta heqë fare kur stadiumi përdoret për evente të tjera.

Serra nën tokë dhe dritat rritëse
Poshtë, hipogeumi funksionon si një serë gjigante, por pa dritë natyrale. Lartësia e tribunave, rreth 60 metra, e bën të pamjaftueshme mbështetjen te dielli për të mbajtur barin në gjendje perfekte. Për këtë arsye përdoren drita rritëse, si në sipërfaqe ashtu edhe poshtë, ku përgatiten edhe tapete rezervë. Burime të njohura me sistemin, që folën në mënyrë anonime pasi nuk kishin leje për të komentuar, thonë se klubi u frymëzua nga studime shkencore mbi kultivimin e kanabisit, ndër të paktat që ekzistonin për kultivimin e barit në ambiente të mbyllura.

Nga vështirësitë te stabilizimi i barit
Gjatë sezonit të parë të funksionimit, 2023-24, u vunë re probleme me cilësinë e fushës. Tani situata konsiderohet më e qëndrueshme, megjithëse përmirësimet vazhdojnë. Zakonisht bari zëvendësohet para nisjes së sezonit dhe, nëse duhet, gjatë kampionatit. Kur Madridi priti Sevillan më 20 dhjetor, luajti mbi tapet të sapoinstaluar. Procesi i ndërrimit zgjat rreth dy ditë (maksimumi tre): hiqet fusha, instalohet sistemi i ri i drenazhimit dhe shtrohet bari. Çdo tapet i ruajtur poshtë monitorohet me kujdes për kushtet e duhura.

Ekipet, laboratori dhe mjedisi
Rreth 70 persona, me kohë të plotë dhe të pjesshme, kujdesen për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e fushave të Real Madridit. Në total, klubi ka 13 fusha me bar natyral midis Bernabeut dhe kompleksit stërvitor. Në qendrën stërvitore funksionon edhe një laborator, ku testohen fara, pajisje dhe trajtime të ndryshme për përmirësimin e barit. Për shkak të rregulloreve evropiane dhe spanjolle, më të rrepta se në Angli apo SHBA, përdoren metoda miqësore me mjedisin: për shembull, kërpudhat e dëmshme asgjësohen me dritë ultravjollcë, jo me pesticide. Gjendja e barit kontrollohet rregullisht edhe për të minimizuar lëndimet. Zërat se fusha ishte e lyer me bojë nuk qëndrojnë, sipas burimeve të informuara.

Kostoja e serrës nëntokësore
Për të ndërtuar serën e madhe nëntokësore, Madridi mori një hua prej 225 milionë eurosh me interes 1.53 për qind, të cilën klubi e konsideroi të favorshme. Sipas SENER, sistemi kushtoi më pak se shuma e asaj huaje, por kostot u ndikuan nga fakti se gjithçka duhej ndërtuar brenda një strukture ekzistuese.

Borxhi i rinovimit dhe strategjia financiare
Në total, klubi ka strukturuar tri hua me vlerë 1.17 miliardë euro për rikonstruksionin e Bernabeut, me interes mesatar 3.2 për qind: 575 milionë euro me 2.5 për qind kryesisht për fasadën dhe çatinë tërheqëse; 370 milionë euro (me interes të pazbuluar) për tejkalime kostosh; dhe 225 milionë euro për hipogeumin. Në mbledhjen e nëntorit, presidenti Florentino Perez deklaroi se investimi i kryer deri tani është 1.347 miliardë euro, pa sqaruar nëse shuma do të rritet për punime shtesë, si izolimi akustik që tani kërkohet. Thelbi i planit është që mbajtja e Bernabeut aktiv gjatë gjithë vitit të gjenerojë të ardhura për të përballuar këto kosto dhe, me kalimin e kohës, të forcojë më tej pozitën financiare të klubit. Në serinë The BookKeeper, The Athletic ka analizuar në thellësi fuqinë financiare të Real Madridit.

Shënim
Në shkurt 2022 u publikuan imazhe të reja të serrës së barit tërheqës të Bernabeut, që ilustronin avancimin e projektit.

Burimi: The Athletic, Guillermo Rai (31 dhjetor 2025)

Exit mobile version