Normalizimi Kosovë–Serbi
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, vlerësohet si një hap i rëndësishëm përpara. Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare theksohet se palët duhet të përshpejtojnë zbatimin e Aneksit të marrëveshjes. Sapo të ketë mjaftueshëm progres, Shtetet e Bashkuara pritet të shqyrtojnë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me të dyja vendet, përfshirë dialogun strategjik dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike e të investimeve.

Çfarë parasheh Marrëveshja e Ohrit
Dokumenti i njeh marrëveshjes prej 11 nenesh (Marrëveshja e Ohrit) një rol kyç: ajo parasheh një shkallë vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, zotimin që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe detyrimin e Prishtinës e Beogradit për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut. SHBA-ja duhet të mbështesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare të bazuar në njohjen e ndërsjellë, pa mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime kufijsh mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor, dhe të fuqizojë demokracitë pluraliste si mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

Akti amerikan i mbrojtjes: prioritetet dhe buxheti
Akti i mbrojtjes autorizon një shpenzim vjetor rekord për forcat e armatosura të SHBA-së prej 901 miliardë dollarësh, rreth 8 miliardë më shumë se kërkesa fillestare e presidentit Donald Trump. Paketa mbulon gjithçka, nga blerjet e anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore, te rritjet e pagave për ushtarakët dhe qasja ndaj kërcënimeve gjeopolitike.

Energjia, korrupsioni dhe ndikimet e jashtme
Teksti thekson se varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga karburantet fosile dhe gazi rus i lidh ekonomitë dhe politikat e tyre me Moskën dhe ngadalëson rrugën drejt integrimit evropian. U theksua se ulja e kësaj varësie është në interes kombëtar të SHBA-së, si dhe mbështetja për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE dhe NATO. Dokumenti paralajmëron se rritja e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor mund të dëmtojë konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën. Kërkohet që sekretari i Shtetit, në bashkërendim me sekretarin e Mbrojtjes, drejtorin e Inteligjencës Kombëtare dhe agjencitë përkatëse, të raportojnë rregullisht në Kongres mbi ndikimin keqdashës të Rusisë dhe Kinës në rajon. Po ashtu nënvizohet se korrupsioni, përfshirë në nivelet e larta politike, mbetet një pengesë madhore për zhvillimin demokratik e ekonomik, ndërsa fushatat e dezinformimit minojnë institucionet dhe integritetin e zgjedhjeve.

Shqetësime për demokracinë në Serbi
Akti shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë në Serbi, duke iu referuar gjetjeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale: kushte jo të drejta, mungesa të shumta procedurale, zbatim jo të barabartë të masave mbrojtëse gjatë votimit e numërimit, mbingarkim të qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të votimit në grup. Po kështu, OSBE ka theksuar akuzat e zyrtarëve serbë ndaj protestuesve paqësorë, opozitës dhe shoqërisë civile për përpjekje për destabilizim – një narrativë shqetësuese që rrezikon sigurinë e segmenteve të rëndësishme të shoqërisë. Në tekst vlerësohet se partneritetet me demokraci që ndajnë vlerat e SHBA-së janë më të forta dhe afatgjata.

Mbështetje për EUFOR-in në Bosnjë e Hercegovinë
Ndër qëndrimet e Kongresit është ruajtja e mandatit të plotë të EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, si interes i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare të SHBA-së. Kërkohet gjithashtu që NATO dhe BE të rishikojnë mandatin dhe vendosjen e misioneve në Bosnjë e Hercegovinë, për të siguruar një rol proaktiv në krijimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Integrimet euroatlantike dhe reformat
Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia përshkruhen si një rajon pluralist e multietnik në zemër të Evropës, me rëndësi thelbësore për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin kontinental. Paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen ngushtë me mundësitë për progres demokratik e ekonomik të këtyre vendeve, dhe është interes i përbashkët i SHBA-së dhe i rajonit të nxisin rritjen e qëndrueshme. Reformat drejt BE-së kanë sjellë përparim, por nivelet e varfërisë dhe papunësisë mbeten më të larta sesa në vendet fqinje të BE-së.

Prioritetet amerikane në rajon
Kongresi nënvizon se SHBA-ja duhet të:
– punojë me aleatët dhe partnerët për forcimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e energjisë, reformat demokratike e ekonomike dhe uljen e varfërisë;
– nxisë lidhjet tregtare dhe investuese me Ballkanin Perëndimor dhe të zgjasë mbështetjen për iniciativat e integrimit rajonal;
– mbështesë anëtarësimin e atyre vendeve të rajonit që synojnë BE-në dhe NATO-n, përmbushin kriteret, gëzojnë mbështetjen e aleatëve dhe kontribuojnë në sigurinë kolektive të Aleancës;
– rrisë investimet dhe shkëmbimet tregtare për të ulur varësinë nga energjia ruse, për të nxitur diversifikimin, efikasitetin dhe kursimin e energjisë, si dhe kalimin drejt burimeve të pastra.

Shoqëria civile, media e pavarur dhe siguria kibernetike
Në dokument theksohet nevoja për mbështetje të vazhdueshme për shoqërinë civile, partneritetet publike-private, median e pavarur, qeverisjen transparente e të përgjegjshme, stabilitetin politik dhe ekonomitë moderne të tregut. Po ashtu, jepet mbështetje për sigurinë dhe rezistencën kibernetike, për nisma që forcojnë lidhjet ekonomike rajonale dhe për bashkëpunimin ndërkulturor e arsimor mes SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Detyra për Departamentin e Shtetit
Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet të nxisë iniciativa për zhvillim demokratik dhe ekonomik, përfshirë asistencë teknike të përshtatur sipas kushteve lokale në çdo vend të Ballkanit Perëndimor; të forcojë strategjitë kombëtare kundër korrupsionit – sidomos në gjyqësor, organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike – dhe të promovojë rolin e medias së pavarur në luftën kundër korrupsionit.

Autori i nismës dhe mesazhi për rajonin
Autori i dispozitave për Ballkanin Perëndimor, kongresisti demokrat William Keating, theksoi për televizionin Insajder se miratimi në të dyja dhomat dëshmon se Ballkani mbetet prioritet në radarët amerikanë. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përfshira dhe se brenda administratës amerikane ka aktorë që e shohin rajonin si përparësi. Keating shpjegoi se legjislacioni u prezantua më herët dhe më pas u përfshi në Aktin e mbrojtjes për t’u siguruar miratimi.

Burimi: REL

Exit mobile version