Rezultatet përfundimtare dhe vendimi i KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. U miratuan listat e kandidatëve të të gjitha subjekteve, me përjashtim të Listës Serbe, partisë më të madhe të komunitetit serb. Tre anëtarë votuan pro, dy — nga Lëvizja Vetëvendosje — kundër, ndërsa pjesa tjetër u përmbajt.

Ankesa dhe polemika
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ai po ashtu theksoi gjatë mbledhjes se, sipas vlerësimit të tij, afati mund të konsiderohet i tejkaluar për shkak të rinumërimit të kryer dhe se pas një procesi të tillë ligji nuk parasheh ankesa. Radoniqi e quajti të pakuptimtë mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga anëtarë të tjerë të KQZ-së.

Qëndrimet e KDI
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerësoi se KQZ ka vepruar në kundërshtim me rregullat, fillimisht duke shpallur rezultate pa e shterur afatin ligjor për ankesa dhe më pas duke publikuar rezultate “të pjesshme”. Sipas tij, situata nuk mund të zgjidhet me votime politike brenda KQZ-së apo me bllokim/leje rezultatesh sipas interesave momentale. Ai shtoi se, meqë dihet cili do të ishte epilogu ligjor i një ankese në PZAP apo në Gjykatën Supreme, disa zgjodhën ta zgjasin edhe më tej këtë “shfaqje të pakuptimtë politike”.

Shpërndarja e mandateve
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.10 për qind të votave dhe 57 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës 20.19 për qind dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind dhe 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind dhe gjashtë ulëse. Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nëntë shkuan për Listën Serbe dhe një për Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Kushtetuta garanton 10 ulëse për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera joserbe, në një Kuvend me gjithsej 120 ulëse.

Emrat e deputetëve të zgjedhur
Deputetët e ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosje:
Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla – Scharz, Xhelal Sveçla, Hajrullah Çeko, Avni Dehari, Mimoza Kusari – Lila, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti – Selimi, Andin Hoti, Arben Vitia, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Alban Bajrami, Mefail Bajqinovci, Nezir Kraki, Armend Muja, Adriana Matoshi, Rufki Suma, Jeta Statovci, Ardian Gola, Haxhi Avdyli, Blerim Gashi, Adelina Grainca, Albena Reshitaj, Fatos Geci, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli – Dalipi, Artane Rizvanolli – Berisha, Taulant Kelmendi, Dimal Basha, Labinotë Demi – Murtezi, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, Arbër Rexhaj, Arjeta Fejzaj, Hysen Durmishi, Artan Abrashi, Arbërie Nagavci, Enver Haliti, Liza Gashi, Adnan Rrustemi, Valon Ramadani, Jeton Raka, Drita Pajaziti, Fatmire Kollqaku, Rozeta Hajdari, Arsim Ademi, Salih Zyba, Fitim Haziri, Fjolla Ujkani, Ilir Kërçeli, Sylejmani Meholli, Vigan Qorolli, Naim Bardiqi dhe Valon Hoti.

Deputetët e ardhshëm të Partisë Demokratike të Kosovës:
Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Arben Mustafa, Enver Hoxhaj, Rrahman Rama, Nait Hasani, Eman Rrahmani, Ganimete Musliu, Elmi Reçica, Artan Behrami, Kujtim Gashi, Xhavit Haliti, Besa Kabashi – Ramaj, Mërgim Lushtaku, Ferat Shala, Arbnore Salihu, Blerta Deliu – Kodra, Ariana Musliu- Shoshi.

Deputetët e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës:
Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Janina Ymeri, Besian Mustafa, Adelina Thaçi – Meta, Fadil Hadërgjonaj dhe Ermal Sadiku.

Deputetët e ardhshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës:
Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Albana Bytyçi dhe Time Kadrijaj.

Deputetët e Listës Serbe:
Sllavko Simiq, Igor Simiq, Liljana Stefanoviq, Millan Kostiq, Nemanja Bishevac, Zllatan Ellek, Milljana Nikolliq, Serxhan Popoviq dhe Verica Çernaniq.

Deputeti nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë:
Nenad Rashiq.

Deputetët nga komunitetet tjera joserbe:
Ergyl Mazrek, Fatma Taçi, Rasim Demiri, Emilja Rexhepi, Elbert Krasniqi, Duda Balje, Veton Berisha, Artan Asllani, Adem Hoxha dhe Erxhan Galushi.

Rinumërimi dhe hetimet
KQZ publikoi rezultatet pasi përfundoi procesin e rinumërimit të votave, i nisur pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë. Gjatë rinumërimit, votat e disa kandidatëve ndryshuan — në raste të caktuara deri në 6 mijë për një individ — ndërsa rezultati i partive mbeti i pacenuar. Organet e rendit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra dhe po vazhdojnë hetimet. Disa zyrtarë shtetërorë e kanë cilësuar këtë si “procesin më të komprometuar zgjedhor” në vend, megjithëse Kosova është vlerësuar shpesh për zgjedhje të rregullta dhe transparente.

Pse dyshohet për manipulime?
Sipas analistit Agon Maliqi, ndikim ka pasur edhe mënyra e re e votimit, pasi qytetarët mund të shënojnë deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa ishin më herët. Janë përmendur gjithashtu më pak vëzhgues gjatë numërimit fillestar, i cili u krye në periudhë festash. Njohësit vlerësojnë se manipulime të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë; disa mendojnë me bekimin e drejtuesve partiakë, të tjerë jo.

Reagimet partiake dhe baza ligjore
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen. Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon se çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor është vepër penale dhe dënohet deri në pesë vjet burg.

Hapat e ardhshëm institucionalë
Me certifikimin e rezultateve hapet rruga për formimin e institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa vështirësi Qeverinë e re. Megjithatë, ai ka theksuar se do të nevojitet një marrëdhënie e re me opozitën për çështje madhore, si zgjedhja e presidentit dhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kërkohen dy të tretat e votave.

Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)

Exit mobile version