Hapja e ekspozitës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm në inaugurimin e ekspozitës “Kujtesa në Fotografi: Xhamitë e shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”.
Mesazhi për trashëgiminë kulturore
Në fjalën hyrëse, Kurti theksoi se trashëgimia kulturore është themel i identitetit tonë të përbashkët, na lidh me të kaluarën, forcon ndërgjegjësimin për vlerat që na bashkojnë dhe na shton përgjegjësinë për ruajtjen e memorjes kolektive për brezat që vijnë.
Dëmet gjatë luftës
Ai rikujtoi se gjatë luftës së viteve 1998–1999, krahas mijëra viktimave dhe dëmeve materiale, Kosova pësoi goditje të rënda në trashëgiminë e saj kulturore, e cila u shënjestrua dhe u rrënua nga forcat e armatosura serbe. Në gjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore në këtë periudhë është cilësuar si krim kundër njerëzimit.
Hapat e qeverisë drejt drejtësisë
Kryeministri nënvizoi se në vitin 2021 u ndërmorën hapa konkretë për të kërkuar drejtësi për rrënimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Një komision me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë i dokumentoi zyrtarisht dëmet dhe humbjet, duke hapur rrugën për kërkesë për drejtësi dhe kompensim.
Shifrat e dokumentuara
Sipas raportit, gjatë periudhës 1998–1999 u shkatërruan 1788 monumente të trashëgimisë kulturore; u grabitën mbi 3724 objekte muzeale nga koleksionet e muzeve publike të Kosovës; dhe u shkatërruan 175 biblioteka publike me mbi 1.7 milion libra. Nga 1788 monumentet e rrënuara, së paku 500 janë kulla banimi, 218 xhami dhe 11 teqe, 17 kisha të besimit katolik, si dhe Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Roli i Bashkësisë Islame
Kurti veçoi rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në procesin e dokumentimit, duke theksuar kontributin e saj me të dhëna të vlefshme mbi shkatërrimin e trashëgimisë kulturore islame. Ai theksoi se Bashkësia Islame, ndër vite, ka qenë një shtyllë e fortë për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare, fetare dhe kulturore në vend.
Rëndësia e ekspozitës
Ekspozita, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës, sipas Kurtit, ka peshë të veçantë sepse dokumenton qartë dhe me prova shkatërrimin e trashëgimisë fetare e kulturore si pjesë e një strategjie të qëllimshme për fshirjen e identitetit kulturor dhe fetar të popujve tanë. Duke sjellë fakte, shifra dhe shembuj konkretë, ajo shërben si kujtesë kolektive, si dëshmi historike dhe si thirrje e fortë që krimet ndaj trashëgimisë të mos relativizohen, të mos harrohen dhe të trajtohen me përgjegjësi e drejtësi.
Adresimi dhe mbyllja e fjalës
Në prani të Myftiut Naim Tërnava, kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Rifat Fetiq, z. Muhamed Jusiq dhe përfaqësuesve nga Bosnja e Hercegovina, kryeimamit z. Vedat Sahiti, nënkryetares së Kuvendit Emilija Rexhepi, drejtorit të Institutit të Kosovës për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, si dhe akademikëve e studiuesve të Fakultetit të Studimeve Islame, Kurti falënderoi të gjithë kontribuuesit për organizimin e ekspozitës. Ai e mbylli fjalën me theksimin se ruajtja e kujtesës, dokumentimi i së vërtetës dhe kërkimi i drejtësisë mbeten detyrime të përhershme të shtetit, sepse duke nderuar të kaluarën ndërtojmë të ardhmen e Kosovës.
Burimi: Bota Sot
