Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur sot arritjet e kabinetit të tij gjatë mandatit aktual dhe vizionin për të ardhmen, me fokus te përkrahja për familjet dhe nënat lehona, zhvillimi i bujqësisë, siguria në veri dhe forcimi i ushtrisë. Në një tubim me qytetarët e Suharekës, ai njoftoi për investime të mëdha kapitale dhe projekte infrastrukturore që synojnë të përmirësojnë jetën e banorëve dhe të nxisin zhvillim të qëndrueshëm në mbarë Kosovën.

Shtyllat e mandatit aktual
Kurti theksoi se ky mandat është karakterizuar nga shumëfishimi i armatimit për ushtrinë, 300 milionë euro mbështetje për 120 mijë fermerë, vendosje të rendit dhe ligjit në veri, si dhe përkrahje me shtesa për herë të parë për fëmijët dhe nënat lehona. Sipas tij, politika duhet të dëshmohet me punë dhe rezultate, jo me arsyetime e justifikime.

Premtimet për mandatin e radhës
Për periudhën e ardhshme, ai paralajmëroi: 1 miliard euro për prodhuesit vendorë, 1 miliard euro për ushtrinë, 1 miliard euro çdo vit për investime kapitale, vazhdim të mbështetjes për bujqësinë dhe fermerët, dyfishim të shtesave për fëmijë dhe rritje të përkrahjes për nënat lehona.

Projekte për Suharekën
Nga Suhareka, Kurti njoftoi se do të ndërtohet diga e liqenit akumulues të Dragaçinës, në mënyrë që qyteti dhe fshatrat përreth të kenë ujë të pijshëm cilësor dhe furnizim për bujqësi e industri, duke nisur nga Samadraxha. Ai u zotua për siguri dhe mirëqenie për Suharekën dhe gjithë Kosovën, duke u bërë thirrje qytetarëve: Mos lëshoni pe!

Burimi: Bota Sot

Exit mobile version