Bekim Halilaj, 28 vjeç, me origjinë shqiptare, u gjet i varur në një tabelë sinjalistike në zemër të Brukselit, dy ditë më parë.

Sipas raportimeve, Halilaj ishte dënuar më herët në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 22 vite burg. Ai u përfshi në një çështje trafiku kokaine me vlerë mbi 4 milionë paund në Southampton, së bashku me tre persona të tjerë: Nuri Mucmataj, Fitim Halilaj dhe Tamas Hela.

Goditja e grupit dhe arrestimet

Më 21 prill 2017, policia britanike ndaloi një furgon tip Astra në Southampton, ku u gjetën rreth 140 mijë paund kokainë, 30 mijë paund para të gatshme dhe u arrestuan dy anëtarë të grupit, Tamas Hela dhe Fitim Halilaj. Mjeti rezultoi i modifikuar me ndarje të fshehta për transportin e drogës dhe parave.

Pas këtij ndalimi, policia bastisi një banesë në Carrington House, në zonën Westwood Road, ku u arrestua Bekim Halilaj dhe u sekuestrua kokainë me vlerë rreth 10 mijë paund. Ndërkohë, Nuri Mucmataj u ndalua gjatë një bastisjeje tjetër në Rrugën Ted Bates, në Bargate.

Hetimet treguan se droga sillhej nga Essex dhe më pas shpërndahej në rrugët e Southampton. Sipas gjykatës, kokaina ishte e cilësisë së lartë, me pastërti deri në 91%. “Ky ishte një operacion metropolitan droge”, deklaroi gjyqtari Robin Rowland, duke theksuar se baza e përgatitjes së drogës ishte banesa në Carrington House. Policia britanike konfirmoi gjithashtu se të përfshirit ndodheshin ilegalisht në vend dhe përdornin identitete të rreme për të qëndruar në Angli dhe për të fshehur aktivitetin e tyre kriminal.

Dënimet

– Nuri Mucmataj, 26 vjeç – 8 vite e 6 muaj burg
– Bekim Halilaj, 21 vjeç – 7 vite burg
– Fitim Halilaj, 27 vjeç – 4 vite e 6 muaj burg
– Tamas Hela, 24 vjeç – 4 vite e 6 muaj burg

Burimi: Gazeta Express

Exit mobile version