Rifillimi i seancës
Sot nga ora 10:00 vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në rend dite është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Seanca është thirrur pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Ecuria e rendit të ditës
Vazhdimi i seancës do të nisë me pikën e katërt: votimin e nënkryetarit nga komuniteti serb. Me këtë zgjedhje, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe për përmbylljen e këtij procesi parashihet afati prej 12 ditësh.
Qartësimi i Kushtetueses
Në aktgjykimin e saj lidhur me kërkesën e Listës Serbe për konstituimin e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese sqaroi se as grupet parlamentare e as komunitetet nuk mund ta mbajnë peng procesin duke mos propozuar kandidatë për Kryesinë. Në raste kur e drejta për të propozuar nuk ushtrohet dhe pengohet zgjedhja, Kuvendi, në mënyrë të jashtëzakonshme, mund të vazhdojë funksionimin edhe pa një anëtar të Kryesisë, me kusht që Kryesia të ketë kuorum dhe të vendosë me shumicën e anëtarëve të pranishëm, siç përcaktohet në nenin 20 të Rregullores së Kuvendit.
Hapat e mëtejshëm
Me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb përmbyllet seanca konstituive dhe i hapet rruga procesit për formimin e qeverisë së re.
Burimi: Gazeta Express
