Reagimi i LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj Xhafer Tahirit pas deklaratës së tij për një marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri. Sipas LDK-së, një veprim i tillë bie ndesh me qëndrimin zyrtar të partisë, e cila thotë se nuk synon koalicion me VV-në, as në nivel lokal e as në atë qendror.
Akuzat e Viktor Buzhalës
Pas këtij zhvillimi, gazetari Viktor Buzhala ka akuzuar LDK-në se në prapaskenë po punon me PDK-në me një qëllim të përbashkët: dobësimin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale, përcjell “Bota sot”.
Pretendimet për marrëveshje të heshtur
Sipas Buzhalës, LDK dhe PDK po përpiqen të krijojnë një front të përbashkët që do ta dëmtojë Vetëvendosjen në garat lokale, me synim final një koalicion të ardhshëm qeverisës. Ai pretendon se LDK kërkon mbështetjen e PDK-së në Prishtinë, Gjilan, Fushë Kosovë, Pejë, Obiliq, Viti dhe Suharekë, ndërsa në këmbim do të përkrahë PDK-në në Mitrovicë, Prizren, Klinë, Vushtrri dhe Kaçanik. Në të dyja rastet, përballë janë kandidatët e VV-së, ndaj kjo marrëveshje e pashpallur synon t’i marrë sa më shumë komuna Vetëvendosjes.
Dy blloqe përballë
Sipas këtij pretendimi, LDK tashmë ndodhet në një bllok politik me PDK-në, ndërsa në anën tjetër qëndron VV-ja. Kështu, kushdo që voton LDK-në, praktikisht po mbështet edhe PDK-në – dhe e kundërta. Në të dy rastet, theksohet se është një votë kundër Albin Kurtit.
Qëllimi i supozuar
Sipas Buzhalës, objektivi i Lumir Abdixhikut dhe Memli Krasniqit është të dobësojnë Albin Kurtin në zgjedhjet lokale, për t’i hapur rrugë formimit të një koalicioni të përbashkët pas zgjedhjeve nacionale, me sloganin e njohur: “Për hir të proceseve”.
Burimi: Bota sot
