Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të mërkurën se kritikat ndaj Izraelit po përdoren si pretekst për të shkaktuar urrejtje ndaj hebrenjve në Gjermani. Në një ceremoni që shënoi 75-vjetorin e themelimit të Këshillit Qendror të Hebrenjve, Merz theksoi se që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, i cili shkaktoi luftën në Gazë, antisemitizmi është bërë më i zëshëm, i hapur dhe i dhunshëm. Ai shtoi se, dukuria e “kritikës ndaj Izraelit” po përdoret për të përhapur antisemitizëm.

Në të njëjtën kohë, Merz përmendi se si Gjermania ka ndërprerë eksportin e armëve që mund të përdoren në Rripin e Gazës, si pasojë e zgjerimit të planit ushtarak izraelit në atë enklavë palestineze. Kjo ndërprerje shënon herën e parë që Gjermania refuzon të mbështesë ushtarakisht një aleat kaq të afërt si Izraeli, veprim i cili erdhi pas presionit të rritur publik dhe të aleatit të vogël në koalicionin qeveritar për shkak të krizës humanitare në Gazë.

Merz në fjalën e tij në Berlin theksoi se kritika ndaj politikave të qeverisë izraelite është e pranueshme, megjithatë, ai vuri në dukje se kritika bëhet problematike kur përdoret si mjet për të nxitur urrejtje kundër hebrenjve, ose kur sugjeron ndërprerjen e mbështetjes së Gjermanisë për Izraelin.

Exit mobile version