Parkinsoni, një sëmundje e paparashikueshme
Nuk ka një afat të qartë dhe as faza të përcaktuara, ndryshe nga, bie fjala, kanceri i prostatës. Parkinsoni mbetet një sëmundje enigmatike. “Nuk dua të pengohem te mobiljet apo të godas kokën. Mund të eci, por nuk është gjithmonë mirë dhe është paksa e rrezikshme.” Te Parkinsoni, dëmtimet në tru përparojnë me vite. Ndër shenjat fizike janë dridhjet e pavullnetshme në zona të caktuara të trupit, lëvizje të ngadalësuara dhe vështirësi të tjera të lëvizshmërisë.

“E dëgjoj trupin tim”: rrëfimi i Michael J. Fox
Në një bisedë të fundit me People, aktori theksoi se duhet ta dëgjojë trupin çdo ditë: “Zgjohem, kuptoj si do të jetë dita dhe përpiqem të përshtatem. Përballem vazhdimisht me sfida të reja fizike dhe mundohem t’i kapërcej.”

Projekte të reja dhe rikthime të vogla
Në intervistën për People, ku u shfaq edhe në kopertinën e numrit të tetorit, Michael J. Fox foli për jetën dhe punën e tij. Libri i ri, “Future Boy”, i shkruar bashkë me Nelle Fortenberry (Still: A Michael J. Fox Movie dhe Michael J. Fox: Adventures of an Incurable Optimist), u botua më 14 tetor. Ai sjell kujtime nga rolet në sitcom-in “Family Ties” dhe filmin “Back to the Future”. Përveç librit, aktori ka qenë i angazhuar muajt e fundit si i ftuar në sezonin e tretë të “Shrinking”, megjithëse pati njoftuar tërheqjen nga aktrimi në vitin 2000 për shkak të sëmundjes. “Gjithmonë ka një moment kur them lamtumirë”, tha me humor.

Fondacioni dhe përditshmëria
Ai po finalizon edhe versionin audio të librit dhe vazhdon punën me Fondacionin Michael J. Fox për Kërkimin e Parkinsonit, të themeluar në vitin 2000. “Viti i kaluar ka qenë vërtet pozitiv, shumë frymëzues.” Fox thotë se çdo mëngjes e teston veten dhe i përshtatet ditës. Përdor shpesh karrocën me rrota dhe i është dashur pak kohë ta pranojë dhe ta menaxhojë këtë ndryshim.

Familja
Aktori mbetet optimist. Ai dhe bashkëshortja e tij prej 37 vitesh, Tracy, kanë katër fëmijë: Sam, 36 vjeç; binjakët Aquinnah dhe Schuyler, 30 vjeç; dhe Esmé, 23 vjeç.

burimi: People

Exit mobile version