Në Kuvendin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës u trajtuan raporti i punës për vitin 2025 dhe çështje kyçe për sektorin, ku theksi u vu te vendimi për marzhën e fitimit dhe problematikat e licencimit.

Ankesat për marzhën e fitimit:
Përfaqësuesit e kompanive të naftës sërish shprehën pakënaqësi për marzhën e përcaktuar: 2 cent me shumicë dhe 12 cent me pakicë. Ata theksuan se Kosova ka çmime ndër më të ulëtat, madje edhe jashtë normales, tepër të lira. Si shembull u përmend se një litër shitet me 1.05 euro në pakicë, ndërsa furnizimi është 1.01 euro, duke lënë vetëm 4 cent hapësirë fitimi për kompanitë.

Kërkesat e Shoqatës dhe Udhëzimi 15/2022:
Kryetari Fadil Berjani u shpreh se rregullimi i sektorit ka avancuar dhe falënderoi Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për bashkëpunimin, por nënvizoi se ka ende kërkesa të hapura. Ndër to është ndryshimi i Udhëzimit Administrativ 15/2022, ku si kriter për licencë parashihen pranimi teknik ose vërtetimi për përdorimin e pikës së karburantit. Ai kërkoi që të mos miratohet marzha aktuale e fitimit, duke argumentuar se kushtet e tregut në Kosovë tashmë i mbajnë çmimet shumë të ulëta.

Pse lëvizin çmimet e naftës:
Përfaqësuesi i sektorit, Agim Behluli, theksoi se prej 25 vitesh është dashur të ndërtohet një deponi rezervë, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas tij, për shkak të mungesës së rezervave vendore, Kosova varet plotësisht nga tregu ndërkombëtar, prandaj çmimet luhaten. Ai kërkoi që shteti të ndërmarrë hapa për ngritjen e një deponie strategjike, në mënyrë që gjatë krizave të ketë furnizim të garantuar, siç bëjnë shumica e shteteve.

Licencimi dhe çmimet tavan:
Nënkryetari Tahir Zogaj nënvizoi rëndësinë e legalizimit dhe licencimit të bizneseve në sektor, duke kërkuar që licencat për ata që i plotësojnë kriteret të jenë të përhershme, e jo me afat 6-vjeçar. Ai tha se është nisur procesi i legalizimit përmes një kërkese drejtuar Asociacionit të Komunave, ndërsa ministrisë i është dërguar kërkesë pa marrë ende përgjigje. Zogaj shtoi se nuk pajtohen me tre vendimet e Ministrisë së Tregtisë për çmime tavan, duke theksuar se Kushtetuta garanton treg të lirë dhe pyeti pse ndërhyrje të tilla nuk bëhen edhe te energjia ose te produktet ushqimore.

Burimi: Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës

Exit mobile version