Ka ndërruar jetë regjisori, aktori dhe pedagogu i shquar Atdhe Gashi, në moshën 86-vjeçare.
Nderimi i fundit
Ceremonia e varrimit do të mbahet në varrezat e qytetit të Prishtinës.
Jeta dhe formimi
I lindur në Tiranë, shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Mitrovicë. Studimet e larta në regji teatri, filmi dhe televizionit i përfundoi në Fakultetin e Arteve të Bukura në Lubjanë, ku u diplomua në klasën e profesorit Miran Herzog me veprën “Darsma e përgjakur” të Federico García Lorca-s.
Veprimtaria artistike
Pas studimeve, nisi punën si aktor në Teatrin Krahinor. Si nismëtar i kulturës dhe artit, themeloi Shoqërinë Kulturore-Artistike “Bajram Curri” dhe shërbeu si udhëheqës i Orkestrës Simfonike të Prishtinës. Për rreth dy dekada kontribuoi në Radio Prishtina, duke realizuar qindra radio-drama për të rritur dhe fëmijë. Si regjisori i parë i diplomuar në Kosovë, vuri në skenë mbi njëqind vepra të dramaturgjisë botërore dhe asaj kombëtare.
Vepra të spikatura
Ndër realizimet e njohura përmenden: “Shoku Gaf”, “Zoti Shoku Gaf”, “Valixhen e ke te dera”, “Vetëvrasja në ditëlindje”, “Mirë u pafshim”, “Ditëlindja”, “Komplotistët”, “Martesa e Palucit”, “Dashnori juridik”, “Ah, populli im” dhe shumë të tjera.
Mësimdhënia dhe nismat në kohë të vështira
Në arsim, Atdhe Gashi dha mësim në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën e Dramës. Pas përjashtimit nga puna dhe mbylljes së institucioneve kulturore nga regjimi serb, ai themeloi “Teatrin shëtitës”, për të mbushur boshllëkun në jetën kulturore të vendit, duke sjellë drama dhe komedi satirike në gjithë Kosovën.
Trashëgimia
Kontributi i tij i gjithanshëm do të mbetet pjesë e çmuar e historisë së teatrit dhe kulturës në Kosovë.
Burimi: Redaksia
