Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pas vizitës në veri të vendit, ka ndaluar edhe në Drenas për të parë nga afër rrjedhën e procesit zgjedhor.
Vizita në Drenas
Hargreaves tha se është i kënaqur që po sheh qytetarë duke e ushtruar të drejtën e votës dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë të drejtë vote të dalin në qendra dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në komuna.
“Ndalesa jonë e radhës ishte Drenasi; gëzohemi që pasdite po shohim më shumë njerëz që po dalin për të votuar. Shpresoj që të gjithë kosovarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokalë.”
Monitorimi në veri
Më herët, ai bëri të ditur se ka vizituar disa qendra votimi në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.
“Është e mrekullueshme të shohësh njerëzit duke marrë pjesë në këto zgjedhje shumë të rëndësishme për Kosovën, duke shprehur vullnetin se kush do t’i përfaqësojë në çështjet që u prekin më shumë jetën e përditshme,” theksoi ai.
Burimi: Gazeta Express
