Partia Demokratike e Kosovës po hyn në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale me një bilanc kontrastues: fitore të theksuara në disa bastione, por njëkohësisht edhe një humbje të pashembullt pikërisht në një prej tyre.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fotografia elektorale e PDK-së shfaqet e ndërlikuar dhe e shumëllojshme.
Komunat e fituara
– Skënderaj — 83.45%: PDK fiton me dominim absolut; komuna mbetet një fortesë e padiskutueshme për partinë.
– Ferizaj — 56.47%: Mandat tjetër me fitore bindëse për Aliun, në një nga komunat më të rëndësishme të vendit.
– Hani i Elezit — 50.94%: Fitore me diferencë të vogël, por e mjaftueshme për të shmangur balotazhin.
Ku hyn favorite?
Në katër komuna, PDK shkon në balotazh me epërsi numerike dhe me shanse reale për ta mbyllur garën në favor të saj:
– Prizren — Shaqir Totaj me 41.99% përballë Artan Abrashit të Vetëvendosjes (29.80%). Me këtë hendek të madh, Totaj konsiderohet favorit i qartë.
– Vushtrri — Ferit Idrizi (45.56%) ndaj Sylejman Mehollit të VV-së (30.63%). PDK është në pozitë shumë të favorshme, me Idrizin vetëm rreth 4 pikë përqindjeje larg fitores.
– Mitrovicë e Jugut — Garë dramatike: Arian Tahiri me 47.89% kundrejt Faton Pecit (VV) me 47.80%. Diferencë minimale, por PDK mban vrullin e raundit të parë.
– Kaçanik — Sabedin Vishi (39.86%) ndaj Jeton Rakës (37.86%). Garë e ngushtë, ku terreni tradicionalisht i ndarë mund t’i japë PDK-së një epërsi të lehtë.
Në garë ‘të pamundur’
Në disa komuna, megjithëse PDK shkon në balotazh, diferencat e mëdha e vendosin partinë në një situatë thuajse të pamundur:
– Dragash — Shaban Shabani (28.38%) ndaj Bexhet Xheladinit (LDK — 43.98%). Garë interesante, ku Lidhja Demokratike doli nga 12 tetori me vetëm 4.8 pikë përqindje para PDK-së.
– Klinë — Sokol Bashota (35.98%) ndaj Zenun Elezajt (AAK — 48.04%). Fitorja për PDK-në këtu duket pothuajse e paarritshme, me partinë e Haradinajt që gati e siguroi fitoren që në raundin e parë.
Burimi: KQZ – rezultate preliminare
