Policia e Kosovës, në dy raste të ndara, ka zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në Komunën e Leposaviqit.

Sekuestrim armësh në Rvatska
Zyrtarë të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë dhe një palë dylbi.

Gjetje shtesë në objektet përcjellëse
Si rezultat i veprimeve hetimore, në objektet përcjellëse të së njëjtës shtëpi janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu: një pushkë ajrore, një mekanizëm për barut, një thikë ushtarake dhe një futrollë për revole. Veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Aktualisht nuk ka të arrestuar dhe çështja po hetohet.

Rasti i dytë në Veacev
Në rastin e dytë është arrestuar një person, R. R. (1965). Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar të ndiqet në procedurë të rregullt. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në fshatin Veacev janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj.).

Angazhimi i Policisë
Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftimin e posedimit të paligjshëm të armëve të zjarrit, duke vepruar për ruajtjen e rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët.

Burimi: Policia e Kosovës

Exit mobile version