Protesta në Tiranë
Nga ora 17:00, sheshi Skënderbej në kryeqytet pritet të gumëzhijë nga thirrjet për drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgim në Hagë. Tubimi me moton Liria ka emër: drejtësi për çlirimtarët vlerësohet të jetë ndër më të mëdhenjtë e zhvilluar ndonjëherë në mbështetje të krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrjen e qytetarëve, shoqërisë civile dhe figurave të njohura politike nga të gjitha trojet shqiptare.
Mobilizimi nga trojet shqiptare
Qytetarë nga mbarë hapësira shqiptare po mobilizohen për t’iu bashkuar protestës, të cilën e konsiderojnë detyrim moral e kombëtar ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri dhe që, sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në Hagë. Mbështetje kanë shprehur edhe politikanë nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa nga Kosova pritet të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen tubimit në Tiranë.
Lehtësim i qarkullimit
Autoritetet shqiptare kanë njoftuar se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për qarkullim, si shenjë solidarizimi me protestën.
Protesta të mëparshme
Manifestime në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar edhe në Prishtinë dhe në Hagë.
Burimi: KosovaPress
