Raporti dhe fokusi
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Ekzaminimi i telefonave në procedurë penale”, ku shqyrtohet baza ligjore dhe kushtetuese në Kosovë, si dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me sekuestrimin dhe ekzaminimin e pajisjeve telefonike në kuadër të procedurave penale.

Debati i fundit
Dokumenti adreson debatin publik dhe profesional mbi dilemen nëse për shqyrtimin e të dhënave nga telefonat e sekuestruar nevojitet një vendim i posaçëm gjyqësor, apo nëse mjafton autorizimi i Prokurorit të Shtetit pas një sekuestrimi të ligjshëm të miratuar nga gjykata.

Korniza ligjore dhe kushtetuese
IKD thekson se ka analizuar në detaje dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), duke veçuar dallimin mes përgjimit si masë e veçantë hetimore dhe ekzaminimit të provave të nxjerra nga pajisjet e sekuestruara. Po ashtu, trajtohet përputhshmëria me nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me praktikën gjyqësore të GjEDNj-së.

Gjetjet kryesore
Sipas raportit, KPPRK-ja ia njeh ekskluzivisht Prokurorit të Shtetit kompetencën për të autorizuar ekzaminimin e pajisjeve telefonike të sekuestruara. Gjykata ka rol në miratimin e sekuestrimit të pajisjeve, por jo në autorizimin e ekzaminimit të tyre, pasi për këtë hap nuk parashihet bazë ligjore për nxjerrjen e një vendimi gjyqësor.

Përgjimi kundrejt ekzaminimit të të dhënave
Raporti sqaron se të dhënat e nxjerra nga një telefon i sekuestruar ligjërisht nuk konsiderohen “përgjim”. Përgjimi lidhet me mbikëqyrjen e komunikimeve në kohë reale dhe është i rregulluar si masë e veçantë hetimore që gjithmonë kërkon vendim gjyqësor. Ndërkaq, ekzaminimi i provave të sekuestruara rregullohet nga dispozita të tjera dhe i nënshtrohet standardeve të ndryshme kushtetuese dhe ndërkombëtare.

Efektet në praktikë
IKD paralajmëron se ndryshimi i praktikës gjyqësore mbi bazën e të njëjtit ligj sjell pasoja serioze: rrezikon dështimin e çështjeve penale ku provat kyçe janë siguruar përmes analizimit të pajisjeve digjitale dhe krijon pasiguri juridike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e ndjekjes penale.

Roli i Gjykatës Kushtetuese
Raporti nënvizon se, nëse lind dyshim për kushtetutshmërinë e dispozitave të KPPRK-së, gjykatat duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e jo të shmangin zbatimin e ligjit përmes interpretimeve të drejtpërdrejta kushtetuese.

Rekomandimet
IKD rekomandon zbatim konsekuent të ligjit, dallim të qartë ndërmjet përgjimeve dhe ekzaminimit të provave digjitale, si dhe interpretim të dispozitave ligjore në harmoni me Kushtetutën dhe me jurisprudencën e GjEDNj-së.

Burimi: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Exit mobile version