Në Zvicrën frankofone, numri i mashtrimeve nga të ashtuquajturit “policë të rremë” është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, janë regjistruar rreth 1,000 raste të tilla. Kryesisht, autorët e këtyre mashtrimeve janë nga Franca dhe Afrika e Veriut. Gjatë vitit të kaluar, në kantonet Gjenevë, Vaud, Friburg, Valais, Neuchâtel dhe Jura, u raportuan rreth 800 raste, sipas të dhënave nga Policia Kantonalë e Vaudit. Ndërsa për periudhën janar-maj të këtij viti, shifra ka tejkaluar 1,000 raste, sipas informacioneve nga albinfo.ch.
Vlera totale e dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe është më shumë se 3 milionë franga zvicerane, ndërsa për vitin e kaluar ishte 3.7 milionë franga. Policia ka alarmuar për këto shifra të larta dhe ka intensifikuar fushatat e parandalimit, të cilat po japin disa rezultate. Nga rastet e raportuara këtë vit, më shumë se gjysma kanë qenë tentativa të dështuara, ndërsa dy të tretat e personave të identifikuar si autorë janë arrestuar.
Mashtrimi zakonisht nis me një telefonatë, ku individët që pretendojnë të jenë policë lajmërojnë viktimat me një ngjarje të rremë dhe alarmuese për të marë para ose sende me vlerë. Më pas, një person i cili pret në afërsi të banesës së viktimës shfaqet si koleg i “policit” dhe merr çdo gjë me vlerë, përfshirë kartat bankare, paratë dhe bizhuteritë. Viktimat të cilat janë kryesisht të moshuar, qëndrojnë të izoluara gjatë gjithë procesit, duke mos u lejuar të kontaktojnë familjen apo policinë për të verifikuar lajmin.
Autorët e këtyre telefonatave janë shumë herë nga Franca ose Afrika e Veriut, të cilët organizojnë ‘kurierë’ lokalë në Zvicër për të marrë sendet e vjedhura. Këta ‘kurierë’ zakonisht paguhen me qindra deri në mijëra franga për disa ditë pune dhe rrallë bëjnë pyetje. Pavarësisht arrestimeve të shpeshta, ky fenomen vazhdon të ekzistojë pasi, sa herë që arrestohen disa prej tyre, menjëherë zëvendësohen me të tjerë të rinj.