Jurist me profesion dhe me një bazë të fortë akademike, Suat Shaqiri të dielën hyri në histori në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut. Si kandidat i BDI-së në kuadër të koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim”, ai siguroi një triumf të qartë ndaj rivalëve maqedonas nga LSDM dhe VMRO-DPMNE. Fitore që shënon kthesë në komunën që ndodhet në zemër të vendit, për një sërë arsyesh. Kur ka mbështetje brenda dhe jashtë partisë, brezi i ri i BDI-së mund të shndërrohet në model frymëzues të qeverisjes. Në Çashkë, ku vitet e fundit harmonia ndëretnike u lëkund nga nxitje të afërta me VMRO-DPMNE-në, Shaqiri u shfaq i palëkundur në vizionin e tij. “Jam kryetar i të gjithëve”, ishin fjalët e para në festën e madhe në fshatin e tij të lindjes.

Col MEHMETI

20 tetor 2025 – Një fitore historike në Çashkë

Fitorja bindëse e 37-vjeçarit Suat Shaqiri në Çashkë meriton të veçohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve lokale. Me 2,322 vota, ose 50,71 për qind, ai u bë shqiptari i parë që merr drejtimin e kësaj komune në qendër të Maqedonisë së Veriut.

Në 24 qendrat e votimit të numëruara në gjithë komunën, Shaqiri la prapa dy rivalët e tij maqedonas: Goran Stojanovskin e LSDM-së me 1,110 vota (24,24 për qind) dhe Dejan Andonovskin e VMRO-DPMNE-së me 1,074 vota (23,45 për qind).

Sapo u publikuan rezultatet, atmosfera festive pushtoi Jabollçishtën, ku qindra të rinj festuan me flamuj kuqezi dhe valle. “Unë do të jem këtu për të gjithë. Por një gjë e di për popullin tim, padrejtësia 35-vjeçare mori fund,” deklaroi Shaqiri mes festës.

Fushatë krijuese, larg përçarjes

Shaqiri ishte një nga tetë kandidatët e BDI-së në listën me gjithsej 23 kandidatë për kryetarë komunash të Aleancës Kombëtare për Integrim. Krahas bashkëpartiakëve në Likovë (Erkan Arifi) dhe Pllasnicë (Alija Jahoski), fitorja e tij pa balotazh shënon arritjen më të spikatur të BDI-së, pavarësisht humbjeve në disa komuna të Pollogut.

Nga fillimi deri në përmbyllje, fushata e tij shmangu me kujdes gjuhën përçarëse që do të mund të mobilizonte elektoratin maqedonas mbi baza etnike. Që prej fundgushtit, paraqitjet publike dhe mediatike të Shaqirit ishin të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse, edhe pse shpesh përballë një klime armiqësie nga pala maqedonase.

Në fakt, ai kishte qenë shumë afër fitores edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Me 1,434 vota, e ndoqi nga shumë afër kandidatin e LSDM-së, Goran Stojanovskin, që mori 1,685 vota – mes tyre qindra vota shqiptare që asokohe shkuan te socialdemokratët maqedonas.

Çashka, ku ende mohohet një paralele shqipe

Me një popullsi rreth 8 mijë banorë, qetësia e Çashkës prej vitesh është cenuar nga tensionet e ushqyera prej një pjese të banorëve maqedonas. Edhe pse shqiptarët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë, është kundërshtuar prerë hapja e një paraleleje në gjuhën shqipe për klasën e parë në fshatin Çashkë, ku ndodhet qendra komunale.

Kërkesa e prindërve shqiptarë për një klasë shqip në shkollën “Todor Janev”, që nxënësit shqiptarë të mos mësonin në gjuhën maqedonase, u përball me protesta dhe bllokada fizike nga prindërit maqedonas. Madje, në dhjetor 2023, u pengua fizikisht hyrja e mësuesve dhe e nxënësve të klasës së parë në godinën e shkollës.

Si pasojë, fëmijë nga fshatrat Banjicë, Hotishtinë, Elovec, Busillcë, Starigrad, Novosellë dhe Vranoc i Poshtëm mbetën peng i grupeve të lidhura me VMRO-DPMNE-në që nxitnin tensione ndëretnike. Edhe pse Ministria e Arsimit kishte dhënë dritën jeshile për hapjen e paraleles shqipe dhe Inspektorati i Arsimit kishte konstatuar se ekzistonin kushtet për mësim, rezistenca lokale maqedonase u tregua më e fortë se shteti. Avokati i Popullit vlerësoi se në Çashkë u shkel Kushtetuta, e cila garanton arsimim në gjuhën amtare për çdo shtetas.

Nën hijen e Jakupicës: profili i komunës

Me sipërfaqe prej 819 kilometrash katrorë, komuna e Çashkës përfshin kryesisht pjesën perëndimore malore të Velesit buzë vargmaleve të Jakupicës, në qendër të vendit. E themeluar më 1996, ajo mori kufijtë e tanishëm kur u bashkuan ish-komunat rurale të Bogomilës dhe Izvorit.

Sipas regjistrimit të vitit 2002, nga 7,673 banorë gjithsej, 4,395 ishin maqedonas (57,3 për qind) dhe 2,703 shqiptarë (35,2 për qind). Para regjistrimit të fundit, të dhënat vjetore të Agjencisë së Statistikave tregonin rritje të qëndrueshme të popullsisë shqiptare. Kjo u konfirmua në regjistrimin e vitit 2021: nga 7,942 banorë, shqiptarët u bënë shumicë me 4,032 vetë (50,77 për qind), ndërsa maqedonasit rezultuan 3,071 (38,67 për qind).

Vendbanimi më i madh shqiptar është Katundi i Epërm (Jabollçishti i Epërm) me 2,401 banorë, ndjekur nga Katundi i Poshtëm (Jabollçishti i Poshtëm) me 1,021 banorë. Pas tyre vjen Vranoci i Epërm me 318 banorë. Fshatra me popullsi shqiptare janë edhe Banjicë, Hotishtinë, Busilcë, Elovec, Starigrad dhe Novosellë.

Profil biografik: arsim dhe përvojë e Shaqirit

I lindur në vitin 1988 në Jabollçisht të Epërm, Suat Shaqiri kreu shkollën e mesme të mjekësisë në Gostivar. Studimet e larta i vijoi në Universitetin e Tetovës në drejtimin juridik, paralelisht me shkencat politike në Universitetin e Europës Juglindore, ku përfundoi edhe masterin në diplomaci.

Ai gjithashtu ka ndjekur studime në drejtimin Penal në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Prej vitit 2012, nisi punën në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, më pas u angazhua si bashkëpunëtor profesional në Ministrinë e Drejtësisë. Është pjesë e grupit punues që hartoi strategjinë e reformës në sistemin e drejtësisë, si dhe ka kontribuar profesionalisht në ndryshimin e ligjeve të ndryshme.

Burimi: Nacionale

Exit mobile version