Qëndrimi i AAK-së
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, deklaroi se partia e saj nuk do të japë vota për asnjë kandidat për nënkryetar nga komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës. “Nuk e mbështesim asnjërin. Ata që e kanë bllokuar Kuvendin, le ta zhbllokojnë. Ne kemi kërkuar t’i japim epilog kësaj teme. Zgjedhja e një nënkryetari nuk ka qenë kaq e politizuar më parë”, tha ajo para gazetarëve.
AAK nuk e voton as Nenad Rashiqin
E pyetur nëse AAK do ta votonte Nenad Rashiqin nga partia Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Kadrijaj u përgjigj përsëri negativisht. AAK-ja aktualisht ka pesë ulëse në Kuvend.
Akuza ndaj Vetëvendosjes
Sipas Kadrijajt, Lëvizja Vetëvendosje ka synuar në vazhdimësi të mos lejojë konstituimin e Kuvendit. “E dini që kanë bërë minimumin e përpjekjeve për sigurimin e votave, madje edhe për kryetarin e Kuvendit. Ne kemi kërkuar epilog për ta kapërcyer këtë gjendje”, u shpreh ajo.
Kritika për mënyrën e votimit
Ajo shtoi se, pa mocion apo marrëveshje, është ndarë në mënyrë arbitrare votimi i nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë, gjë që, sipas saj, i shërben kauzave të Albin Kurtit.
Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)
