Afati dhe paralajmërimi i Trumpit
Presidenti Donald Trump i kërkoi Hamasit të pranojë deri të dielën në mbrëmje një marrëveshje paqeje të propozuar për Gazën, duke paralajmëruar sulme edhe më të forta nëse kjo nuk ndodh. Në një postim të premten në rrjetet sociale, ai tha se marrëveshja duhet të arrihet deri në orën 18:00 sipas orës së Uashingtonit, duke theksuar se “çdo vend ka rënë dakord”. Sipas tij, nëse “marrëveshja e fundit” dështon, “do të shpërthejë ferri — siç nuk është parë kurrë më parë — kundër Hamasit”. “Do të ketë paqe në Lindjen e Mesme, në një mënyrë apo në tjetrën,” shtoi ai.
Detajet e propozimit
Plani, i bërë publik bashkë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në fillim të kësaj jave, sipas AP, parashikon që Gaza të vihet nën administrimin e një komiteti të përkohshëm qeverisës të kryesuar nga vetë Trump. Në të do të përfshihej edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair. Civilët nuk do të detyroheshin të largoheshin nga territori; Hamasi do të çarmatosej dhe do të liroheshin të gjithë pengjet e mbetur, ndërsa luftëtarëve të mbijetuar do t’u lejohej të largoheshin.
Reagimi i Hamasit dhe afatet kohore
Hamasi njoftoi të martën se do ta shqyrtonte propozimin. Po atë ditë, Trump u tha gazetarëve se grupi do të kishte “tre ose katër ditë” për t’u përgjigjur.
Sfondi i konfliktit
Trump po përpiqet të shtyjë drejt përmbylljes së konfliktit që nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Postimi i tij i fundit shihet si një tjetër përpjekje për të rritur presionin mbi Hamasin.
Burimi: AP, Gazeta Express
