Komentet e Vuçiqit pas ndeshjes
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar humbjen e mbrëmshme të kombëtares së Serbisë kundër Shqipërisë, duke e ndërlidhur rezultatin me zgjedhjet e sotme në Kosovë. Sipas tij, në komunat në veri ka pasur pjesëmarrje të lartë të serbëve, gjë që, siç thotë, ka shkaktuar “nervozizëm” në Kosovë.
Pjesëmarrja dhe pritjet për Listën Serbe
“Kudo, deri në orën 10, pjesëmarrja ishte më e lartë në zonat serbe sesa në ato shqiptare. Shpresoj që Lista Serbe të fitojë, shpresoj që ata të jenë në gjendje të marrin përsëri në duart e tyre një pjesë të qeverisë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Beograd, raporton Danas.
Reagimi ndaj festimeve shqiptare
Sipas Vuçiqit, shqiptarët nga të gjitha trevat – nga Tirana, përmes Prishtinës, në Preshevë dhe Bujanoc – “janë të dehur pas fitores së mbrëmshme” të ekipit shqiptar ndaj Serbisë në Leskovc.
Thirrje për fokus te votimet në veri
“Do të doja që sonte të ishte një festë pak më e rëndësishme në komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi, sesa ajo festë. Ashtu siç u gëzuan mbrëmë me flamurin shqiptar, në mënyrë që sonte për një çështje më të rëndësishme sesa shkelmimi i topit, njerëzit të gëzohen në komunitetet serbe”, tha Vuçiq.
Burimi: Gazeta Express; Danas
