Vendimi i Gjykatës
Gjykata Themelore e Mitrovicës ka zgjatur edhe për dy muaj masën e paraburgimit ndaj V.M., ish-pjesëtar i MPB-së së Serbisë, i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe plagosjen e Millan Vukashinoviqit. Zëdhënësja e gjykatës, Hateme Haxhaj, konfirmoi për KP se, me kërkesë të Prokurorisë Themelore, kjo masë është shtyrë për një periudhë dy mujore.

Arrestimi dhe sfondi
V.M. u arrestua në Leshak gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se i dyshuari është ish-pjesëtar i MPB-së serbe, i integruar më herët në Policinë e Kosovës në bazë të një marrëveshjeje, nga ku më pas kishte dhënë dorëheqje. Sipas Sveçlës, dyshohet se V.M. ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e rrëmbimit të Millan Vukashinoviqit. Ky i fundit u plagos rëndë gjatë incidentit dhe po trajtohet në një spital në Serbi.

Bastisjet dhe sekuestrimet
Me urdhër të Gjykatës, Policia e Kosovës bastisi shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit. Gjatë kontrollit u sekuestruan nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente formati A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

Rasti i Vukashinoviqit
Millan Vukashinoviq, shtetas i Republikës së Kosovës me përkatësi etnike serbe, dyshohet se u plagos dhe u rrëmbye pranë Leposaviqit nga xhandarmëria serbe.

Hetimet
Për këtë çështje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka marrë në pyetje nënën e viktimës dhe persona të afërt me të.

Burimi: KP

Exit mobile version