Drejtori i Institutit të Drejtësisë në Kosovë, Ehat Miftaraj, ka reaguar për situatën në Kuvend dhe bllokimin e procesit nga partia më e madhe, e cila sipas tij nuk po pranon kompromis për të zhbllokuar institucionet.
Qëndrimi për zgjedhjet
Sipas Miftarajt, Albin Kurti po synon të na çojë në zgjedhje të reja për “adrenalinë” personale, ndonëse kostoja është e lartë dhe do të përballohet nga taksapaguesit.
Deklarata e plotë e Miftarajt
Po më befason qëndrimi i Albinit.
“I mençur” po, “i shkathët” po; ka blerë rrymë me 700 milionë euro në katër vite pushtet; ka shpërndarë dhurata/pozita me shumicë nëpër borde, ambasada, ndërmarrje publike, ministri, e me radhë.
Ka dalë i pari në zgjedhje. “E ka çliruar” veriun; e ka shtrenjtuar tri herë rrymën; i ka dërguar rreth 200 mijë punëtorë nga Kosova në Gjermani; e ka “legalizuar” varfërinë; ndan nga 20 euro në muaj për fëmijë; e ka pranuar Asociacionin, por s’ka ditur të përfitojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës; e ka vendosur shtetin për herë të parë nën masa ndëshkuese nga BE; këshilltarët e tij kanë hapur kompani për të blerë e shitur rrymë qëkur erdhi në pushtet; ka respektuar Ivanoviqin; tre njohje ia kanë sjellë të tjerët si “dhuratë”.
E shumë e shumë projekte të tjera.
Megjithatë, ende s’po di ose s’po do ta bëjë Kuvendin funksional dhe të formojë qeverinë.
Tash, 15–20 milionë eurot e popullit të shkojnë sërish për zgjedhje, sepse Albinit i duhet pak adrenalinë. Adrenalina kushton, por meqë paguhet nga qytetarët, pak rëndësi paska për Binin dhe klikën e tij.
Burimi: Deklaratë e Ehat Miftaraj në rrjetet sociale
