Kriteret ligjore – mbi 90 gjithsej – për liberalizimin e vizave ishin mbyllur që në vitin 2019. Kriteri politik u përmbyll nga Albin Kurti i Vetëvendosjes kur pranoi marrëveshjen “gjermano-gjermane” për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, me një njohje nga dera e pasme (de facto) dhe autonomi politike për serbët e Kosovës. Me Marrëveshjen e Ohrit të ngritur mbi këto dy shtylla – njohje de facto dhe autonomi – ‘shpërblimi’ për Kosovën ishte liberalizimi i vizave dhe nisja e procedurave për anëtarësim në Këshillin e Evropës (që u ndal pas mosmiratimit të draft-Statutit të Asociacionit). Ky ishte ekuacioni i marrëdhënieve që Kurti e pranoi në Ohër përmes një nënshkrimi verbal dhe duke e lidhur rrugën evropiane të Kosovës me zbatimin e atij traktati. Sot, gati tre vjet më pas, i vetmi “sukses” – me kosto të lartë – ka mbetur liberalizimi i vizave. Me më pak se një javë në orën kushtetuese për formimin e qeverisë së re, ky liberalizim është kthyer në rrahagjoks diplomatik nga Albin Kurti dhe Donika Gërvalla për “fuqizimin e pasaportës”. Por, si çdo PR, pas kulisave ka edhe hile domethënëse. Ja pse.
…
Renditja në Henley dhe realiteti rajonal
Kurti dhe Gërvalla festuan ngjitjen e pasaportës së Kosovës në vendin e 65-të në Indeksin Henley, duke e paraqitur si dëshmi të “fuqizimit të pasaportës dhe të Republikës”. Në fakt, bëhet fjalë kryesisht për udhëtime turistike deri në 90 ditë dhe vetëm pjesërisht për fuqi reale pasaporte – ndërkohë që Kosova mbetet më poshtë se të gjithë fqinjët në këtë indeks: Shqipëria në vendin e 43-të, Bosnja dhe Hercegovina e 42-ta, Mali i Zi i 40-ti, Maqedonia e Veriut e 38-ta dhe Serbia e 34-ta.
Emigrimi masiv nën qeverisjen Kurti
Përtej numrit të shteteve ku udhëtohet pa vizë dhe kësaj licence 90-ditore turistike, në kuptimin themelor të “fuqisë së pasaportës”, Kosova po përjeton të kundërtën. Në pesë vite qeverisje, sipas të dhënave zyrtare të Bashkimit Evropian (Eurostat), rreth 13% e popullsisë është larguar drejt shteteve anëtare të BE-së. (Shih të dhënat në Eurostat.)
“Fuqia” e pasaportës për të hequr dorë nga vendi?
Të dhënat e fundit ndërkombëtare nxjerrin në pah realitetin jo premtues ekonomik. Emigrimi për frymë nga Kosova drejt BE-së është tre herë më i lartë se ai i Ukrainës që është në luftë, 36 herë më i lartë se ai i Rusisë dhe rreth 200 herë më i lartë se i Indisë. Për një vend me rreth 1.7 milion banorë, ky ritëm rrjedhjeje është alarmues. Shifrat zyrtare të BE-së tregojnë se rreth 210 mijë persona janë larguar – me leje qëndrimi nga vendet e BE-së – që kur Albin Kurti erdhi në pushtet.
Vetëm në një vit, largimi i 46 mijë njerëzve (rreth 2.7% e popullsisë) do të korrespondonte, në raport të barabartë, me ikjen e 9 milionë personave nga Shtetet e Bashkuara brenda një viti. Asnjë vend tjetër me përmasa të ngjashme me Kosovën nuk po dërgon kaq shumë njerëz në BE çdo vit. Këto shifra të zhvendosjeve janë pothuajse të krahasueshme me nivelet e kohës së luftës.
Ç’do të thotë vërtet “fuqi pasaporte”
Sipas logjikës, një pasaportë është e fuqishme kur mbajtësi i saj nuk shihet si imigrant apo refugjat potencial, por si vizitor i sigurt nga një ekonomi me peshë. Kjo është “fuqia” e pasaportës. Madhësia dhe besueshmëria e ekonomive si ajo gjermane ose amerikane u kthehet qytetarëve të tyre në një lloj sigurie globale: hyrja e tyre paraqet rrezik minimal ekonomik ose të sigurisë. Në këtë kuptim, Bruto Prodhimi i Brendshëm bëhet vetë kalimi i heshtur kufitar – pra “fuqia e pasaportës”.
Burimi: Eurostat; Henley Passport Index
