Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Davosi në “Top Story” me Grida Dumën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndau hollësi nga ceremonia e Bordit të Paqes dhe foli për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump.
Biseda me presidentin amerikan
E pyetur për përmbajtjen e bisedës me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Osmani tha se ai përcolli një mesazh për Kosovën dhe se komunikimi ishte shumë pozitiv. Sipas saj, kjo bisedë vijoi një dialog të nisur në samitin e OKB-së në Nju Jork.
Përfaqësimi i Kosovës në Davos
Duke shpjeguar pse ishte ajo që përfaqësoi Kosovën dhe jo kryeministri Albin Kurti, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës i jep presidentit drejtimin e politikës së jashtme. Ajo shtoi se edhe kryeministri ndodhet në Davos dhe se detyrat janë të ndara, ndërsa anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një arritje e përbashkët.
Protokolli dhe zgjedhja e veshjes
Sa i përket vendosjes pranë presidentit dhe mënyrës së nënshkrimit gjatë ceremonisë, Osmani sqaroi se të gjitha rregullat e protokollit janë caktuar nga SHBA-të, respektivisht Shtëpia e Bardhë. Për zgjedhjen e ngjyrës së kuqe në veshje, ajo u shpreh se është ngjyra e saj e preferuar.
Burimi: Top Story
