Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili është gjithashtu kandidat për një mandat të ri nga Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë i ftuar në emisionin Pressing në T7. Gjatë intervistës, ai ka diskutuar për problematikën e investimeve kapitale dhe të tatimit në pronë në këtë komunë. Ai ka theksuar se qëllimi i tyre ka qenë ulja e tatimit në pronë dhe jo rritja e tij, duke e cilësuar ligjin e ri të tatimit si një nga ligjet më penguese për zhvillimin e Kosovës.
Aliu ka ngritur një pikë shqetësuese lidhur me detyrimet që rrjedhin nga kontrata kolektive, e cila sipas tij po kërkon pagesa të mëdha dhe po pengon investimet kapitale. Ai ka shtuar se për shkak të kontratës kolektive, të gjitha investimet kapitale në Ferizaj mund të përfundojnë duke u paguar si detyrime përmbarimore, duke reduktuar kështu numrin e projekteve të mundshme. Ai ka specifikuar se vetëm për këtë vit, fatura që ka ardhur në janar ishte 12.7 milionë euro, ndërsa buxheti për investimet kapitale ishte vetëm 12.5 milionë euro.
