BE-ja po pret tranzicionin formal të pushtetit në komunat veriore të Kosovës, të drejtuara aktualisht nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur ligjërisht, por të kontestuar në aspektin e legjitimitetit, përpara se të nisë heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura në qershor 2023.
Këto sinjale u përcollën për mediat në Kosovë pas raundit të zgjedhjeve lokale edhe në veri, ku komuniteti serb mori pjesë dhe votoi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që qeverisnin komunat me rreth 3% të votës së popullsisë lokale.
Sipas përgjigjeve të BE-së për RTK dhe Kohën Ditore, zgjedhjet e zhvilluara qetë do të merren në konsideratë në kontekstin e heqjes së masave, por jo përpara se të ndodhë “bartja e pushtetit”.
Deklarata e BE-së
“Presidentja von der Leyen zhvilloi diskutime konstruktive me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti gjatë turneut në Ballkanin Perëndimor. Ajo u inkurajua nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, i qetë, konkurrues dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Kjo është një shenjë e rëndësishme e depërshkallëzimit në veri që do të merret parasysh në kontekstin e lehtësimit të mëtejshëm të masave… Presim që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet në të njëjtën mënyrë dhe mirëpresim një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale”, tha një zëdhënës i BE-së.
Pjesëmarrja e partive serbe dhe reagimet perëndimore
Çështja e përfshirjes së partive politike serbe në zgjedhjet lokale u trajtua me intensitet, deri në masa ndëshkuese bilaterale ndaj Kosovës nga SHBA përmes pezullimit të “Dialogut Strategjik”, si dhe nga BE-ja, e cila e cilësoi pjesëmarrjen e partive si një test për marrëdhëniet e ardhshme Kosovë–BE.
Departamenti i Shtetit njoftoi se Dialogu Strategjik u pezullua “krejtësisht bazuar në veprimet e Albin Kurtit”, si pasojë e “kalimit të vijës së kuqe… me ndalimin e Listës Serbe”.
Ambasada e SHBA-së, prej dy muajsh më parë, kishte rritur dukshëm komunikimin publik për të theksuar atë që e cilësoi si “përpjekje për të bllokuar partitë serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje lokale”. Annu Prattipati, në një intervistë për Gazetën Express, citoi fjalimin e J.D. Vance në Mynih, duke theksuar se as një parti ekstremiste si AfD në Gjermani nuk duhet të ndalohet – një parim që, sipas saj, shkon në themel të demokracisë.
Vizita e von der Leyen në Kosovë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Prishtinë nuk dha ndonjë sinjal konkret për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.
Në mesazhet pas takimeve me krerët institucionalë, ajo nuk e përmendi çështjen e masave të vendosura në qershor 2023, dhe as presidentja Vjosa Osmani apo kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk treguan nëse zyrtarja e lartë evropiane shfaqi gatishmëri për t’i hequr ato.
Von der Leyen përsëriti se Kosova duhet të ulë tensionet dhe të forcojë institucionet: “Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta, të depërshkallëzojë tensionet në vend dhe të finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”.
Burimi: BE; RTK; Koha Ditore; Ambasada e SHBA-së; Gazeta Express
