Pjesëmarrja në seancë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet në selinë e organizatës. Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, mbi zhvillimet në Kosovë.
Prioritetet që do të paraqesë Gërvalla
Sipas MPJD-së, ministrja do të informojë Këshillin për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar arritjet, sfidat dhe prioritetet e reformave gjithëpërfshirëse, me fokus të veçantë te sundimi i ligjit, rezultatet ekonomike dhe forcimi institucional.
Informimi nga UNMIK
Zëvendës-përfaqësuesi Special dhe zyrtari i përkohshëm përgjegjës i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, pritet të njoftojë Këshillin e Sigurimit për raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm lidhur me UNMIK-un, i cili u është shpërndarë anëtarëve të Këshillit dhe pasqyron zhvillimet e fundit në terren.
Burimi: MPJD
