Gjykata Supreme ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, duke prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ndërhyrjet e institucioneve paralele gjatë procesit të votimit.
Vendimi i Gjykatës Supreme
Kolegji i Gjykatës Supreme ka pranuar ankesën e Eminit dhe ka anuluar vendimin e PZAP-it (ZL.Anr.205/2025, i datës 15.10.2025). Dosja është kthyer në PZAP për rivendosje.
Pretendimet e ankuesit
Sipas shkresave të lëndës, më 13.10.2025 Arber Emini u ankua në PZAP, duke pretenduar se më 12.10.2025, gjatë Zgjedhjeve Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në komunë, përmes fabrikimit të dëshmive mjekësore serbe nga strukturat paralele, që do t’u shërbenin votuesve me asistencë për të përdorur këto vërtetime mjekësore.
Arsyetimi i Gjykatës
Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP ka vendosur gabim kur e ka hedhur poshtë ankesën, pasi nga përmbajtja e saj del qartë se ankimi kishte të bënte me procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit, e jo me rezultatet preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, siç kishte konkluduar PZAP në vendimin e vet.
Udhëzimet për PZAP
Në rivendosje, PZAP udhëzohet të shmangë shkeljet e theksuara në Aktvendimin e Gjykatës Supreme, AA.nr.93/2025, dhe të vendosë në themel lidhur me ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini.
Burimi: Aktvendimi i Gjykatës Supreme AA.nr.93/2025; Vendimi i PZAP ZL.Anr.205/2025 (15.10.2025)
 
									 
					