Deklarata e Janiq
SHBA-të pritet të paraqesin një dokument që synon njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu deklaroi analisti Dushan Janiq në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, duke konfirmuar se ekziston një draft amerikan që i kërkon Serbisë të njohë Kosovën si shtet.
Drafti amerikan dhe termi “non-paper”
Janiq tha se i qëndron qëndrimit të tij, ndonëse me disa nuanca, dhe se termi “non-paper” është i përdorur gjerësisht në Ballkan – madje edhe nga Aleksandar Vuçiç dhe aktorë të tjerë. Sipas tij, këtë herë bëhet fjalë për ekspertë dhe kongresmenë amerikanë që po vendosin bazat për rundin e ardhshëm të dialogut. Ai shtoi, duke iu referuar burimeve të veta nga radhët e ekspertëve dhe politikanëve, se Kongresi amerikan ka miratuar një ligj për Ballkanin Perëndimor ku theksohet nevoja për një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Dokumenti i paralajmëruar dhe reagimet në Serbi
Së fundmi, Janiq ka paralajmëruar se në një afat të afërt Shtetet e Bashkuara do ta dorëzojnë këtë dokument. Sipas tij, ai nuk do të jetë një “non-paper”, çka ka shkaktuar shqetësim në Serbi.
Gjendja e dialogut Kosovë–Serbi
Ndërkohë, palët kanë rritur harmonizimin për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, por zbatimi në terren ende mungon. Gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, Kosovë dhe Serbi kanë zhvilluar disa takime si në nivel liderësh, ashtu edhe mes kryenegociatorëve, por nuk kanë arritur pajtim për hapat e zbatimit.
Arsyet e ngecjes dhe kërkesat ndaj BE-së
Sipas njohësve të procesit, dialogu mbetet i bllokuar pa progres domethënës, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në të dy vendet dhe mungesës së një angazhimi më të fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Mungesa e funksionalizimit të plotë të institucioneve në Kosovë dhe trazirat politike në Serbi kanë ndikuar në ngecjen e procesit. Po ashtu, Bashkimi Evropian po kërkohet të vendosë disa parakushte ndaj Serbisë, përfshirë adresimin e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë dhe ndalimin e lobimit intensiv kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Burimi: Euronews Albania
