Republika e Kosovës vazhdon të përballet me sfida në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, përshkallëzuar nga marrëdhëniet me Serbinë dhe proceset ende të hapura me BE-në.
Gjatë administratës së mëparshme të BE-së, me Josep Borell, Oliver Varhelyi dhe Miroslav Lajcak në poste kyçe, Kosova kishte shfaqur shumë ankesa, veçanërisht për qëndrimet e BE-së në dialogun me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte shprehur shumë kritik ndaj rolit të Lajcak, duke e akuzuar atë se po favorizonte Beogradin.
Aktualisht, me emërimin e një ekipi të ri në BE, përfshirë Marta Kos si Komisionere për Zgjerim, Kaja Kallas si Përfaqësuese e Lartë dhe Soren Petersen si emisar për Dialogun, pritet që Kosova të përfitojë nga këto ndryshime. Sidoqoftë, për ironi të fatit, Kosova gjendet në një krizë të thellë politike dhe është bllokuar në aspekte të rëndësishme të qeverisjes, duke mos arritur të funksionojë si duhet edhe pse ka pritur me padurim ardhjen e ‘ekipit të ëndrrave’.
Ambasada gjermane në Prishtinë ka nënvizuar se Kosova ka pasur pritshmëri të mëdha nga ky ekip, i cili përbëhet nga perëndimorë që vijnë nga shtete që e njohin sovranitetin e Kosovës. Por, deri më tani, politika në Kosovë ka qenë e bllokuar, pa një qeveri efektive dhe pa një parlament funksional, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat nuk i dhanë asnjë partie mundësinë të qeverisë vetë.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila mori 42% të votave, insiston që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Parlamentit. Këto pozicionime kanë bllokuar çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje të negociuar, ndërsa partitë opozitare janë shprehur të gatshme të mbështesin kandidatura të tjera brenda Vetëvendosjes.