Gjatë periudhës së fundit gjyqësore u raportuan dhe u trajtuan disa raste të rënda vrasjesh në Kosovë. Ato përfshijnë vrasje brenda familjes, ngjarje në hapësira publike, raste të lidhura me konflikte personale ose mosmarrëveshje financiare, si edhe vrasje të planifikuara në bashkëkryerje dhe sulmin terrorist në Banjskë. Nëpër gjykata kaluan edhe dosje nga vitet e mëhershme që hynë në faza të reja procedurale, përfshirë rigjykime, lirime nga paraburgimi dhe vijim të seancave.
Dënim i përjetshëm për Edmond Lajqin: “E vrava gruan, dërgoni një patrullë”
Edmond Lajqit iu vërtetua burgimi i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gj.U. Pas kryerjes së veprës, ai telefonoi policinë duke njoftuar: “E vrava gruan dhe çoje një patrullë të policisë”. Lajqi pranoi fajësinë; ngjarja ndodhi në banesën e tij në Pejë, ku viktima u qëllua me armë zjarri.
Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi
Vëllezërit Agron dhe Nexhat Vllasaliu u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, në bashkëkryerje. Sipas aktakuzës, pas krimit ata e kishin varrosur dhe më pas rivarrosur trupin e viktimës. Rasti është në procedurë ankimore në Gjykatën e Apelit. Prokuroria pretendon se vrasja është planifikuar me qëllim përfitimi pasuror.
24 vite burg për Dibran Hoxhën, i njohur si “Kobra City”
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dibran Hoxhën me 24 vjet burg për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë, V.C., në lokalin e natës “Kobra City”. Sipas aktakuzës, ngjarja erdhi pas mosmarrëveshjeve për pagesën e shpenzimeve, që përshkallëzuan në përdorim arme.
Vrasje pas një konflikti në komunikacion
Orges Zhugolli u dënua me 20 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e A.Zh., pas një zënke paraprake në komunikacion. Gjykata e Apelit ka mbajtur seancë për shqyrtimin e ankesave ndaj këtij vendimi.
12 vite burg për vrasjen e vjehrrit
Edon Bujupi u dënua me 12 vite burg për vrasjen e vjehrrit në banesën e tij në Prishtinë, pas një konflikti paraprak dhe në prani të bashkëshortes. Gjykata e ricilësoi veprën nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”.
Vrasja në Interex
Para Gjykatës Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Arsim Sylës për vrasjen e V.B. në qendrën tregtare Interex, ku i pandehuri dyshohet se ka shtënë në drejtim të viktimës teksa ndodheshin në sektorin e produkteve të qumështit.
Rasti “City Club” rikthehet në rigjykim
Gjykata Supreme e Kosovës e ktheu në rigjykim vendimin e Apelit, i cili e kishte dënuar me 24 vjet burg Granit Elshanin për vrasje në lokalin “City Club” në Pejë. Pas kthimit, Apeli e liroi Elshanin nga paraburgimi. Sipas aktakuzës, ai akuzohet se ka shtënë me armë zjarri në diskotekë, ku mbeti i vrarë B.Sh.
Sulmi terrorist në Banjskë dhe vrasja e policit Afrim Bunjaku
Nga sulmi terrorist i grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiç humbi jetën polici Afrim Bunjaku. Në bankën e të akuzuarve janë Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, ndërsa procesi po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve. Sulmi është cilësuar si më i rëndi ndaj Republikës së Kosovës; gjatë hetimeve u konfiskuan armë, prona dhe pajisje të ndryshme.
Vrasja e Liridona Ademajt
Sipas aktakuzës, vrasja e Liridona Ademajt u organizua nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, ku ky i fundit dyshohet se qëlloi në kokë viktimën duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Gjykimi po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ende nuk ka epilog përfundimtar.
Vrasja e trefishtë në Gjilan
Nga të shtënat me armë zjarri në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan mbetën të vrarë tre persona dhe një tjetër u plagos rëndë e u dërgua në QKUK. Policia po verifikon rolin e personit të arrestuar, ndërsa të dyshuar të tjerë, përfshirë Mefail Shkodrën, janë në arrati. Prokuroria Speciale e ka marrë rastin në kompetencë.
Vrasja në Lipjan, trupi i groposur në arë misri
Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit të siguruar nga Betimi për Drejtësi, i dyshuari Tom Kolshi, në bashkëkryerje me persona ende të paidentifikuar, dyshohet se e privoi nga jeta E.B. në fshatin Baicë të Lipjanit. Trupi i viktimës u gjet i groposur në një arë misri, i mbuluar me dërrasa dhe dhe.
Vrasja e 89-vjeçarit
Prokuroria dyshon se në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në fshatin Bibaj të Ferizajt, F.R. dhe J.M., për motive të ulëta, vepruan në bashkëkryerje për ta privuar nga jeta S.S. Viktima ndërroi jetë në vend, duke u rrezikuar edhe persona të tjerë të pranishëm. Rasti është kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Vrasje e dyfishtë në Malishevë, viktimat vëllezër; i dyshuari dhëndri
Dy persona, vëllezër, u vranë në fshatin Golluboc të Malishevës. Më herët, Astrit Isufi ishte dënuar me tre muaj burgim për dhunë në familje dhe kanosje ndaj bashkëshortes së tij. Lidhur me këtë vrasje të dyfishtë, viktimat u dërguan në QMF-në e Kijevës, ku u konstatua vdekja e tyre. Një person i dyshuar është identifikuar dhe hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Burimi: Betimi për Drejtësi
