Nga viti në vit, bujqësia vendore po tkurret si në sipërfaqe ashtu edhe në bereqet me grurë. Përtej togfjalëshit të lodhur për sigurimin e “bukës së motmotit”, shifrat zyrtare e tregojnë një Kosovë të varur rëndë nga importet. Për katër vite radhazi, politikat qeveritare në bujqësi kanë marrë formën e sadakasë: janë derdhur subvencione për kultura drithërash, si gruri, pa u përkthyer në më shumë prodhim për vendin. Në Kosovën agrare, me bujqësi kryesisht ekstensive dhe pak të mekanizuar, dikur përdorej “beshareta” – kukulla prej shkopinjsh, rrobash të vjetra e kashte – për të trembur shpendët. Pas katër vitesh si ministër i bujqësisë, dikujt i lindi ideja që logjikën e “besharetës” së sadakasë ta kopjojë edhe në Mitrovicë.
Përkundër këshillave të ekspertëve perëndimorë, pushteti aktual i Vetëvendosjes nuk ka shqyrtuar asnjëherë efektet e subvencioneve (targetet, të hyrat dhe prodhimin). Duket se motivet populiste peshojnë më shumë sesa kujdesi për paranë publike dhe të ardhmen e bujqësisë. Në mungesë të alternativave të dizajnuara sipas nevojave lokale, VV dhe aleatët e saj shtrijnë kudo të njëjtin model të “sadakasë”. A ka vërtet nevojë Mitrovica për këtë?
Col MEHMETI
16 tetor 2025 – Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tashmë është vetëshpallur “figurë qendrore e politikës” pa pritur raporte vlerësimi për performancën, e as krahasime me paraardhës e pasardhës në sektorin e bujqësisë.
Me këtë bagazh, ai ka hyrë në garë për kryetar të komunës së Mitrovicës dhe synon fitoren në balotazh. Në fund të gushtit, Peci prezantoi një tekst programor me 261 fjalë si vizion për të ardhmen e qytetit buzë Ibrit.
“Bujqësia trajtim si asnjëherë më parë nga qeveria komunale”, premtoi ai, kryesisht për zonat rurale të Mitrovicës.
Pyetja që duhej të shtrohej në fushatë është: si u trajtua bujqësia gjatë këtyre pesë viteve? Dhe, po ashtu, a duhet shumëzuar modeli qendror i politikave bujqësore në nivelet lokale?
Tabloja e zymtë e bujqësisë nën Peci
Qeveria e kaluar e Albin Kurtit e ka përsëritur shpesh narrativën për arritje “rekorde” në bujqësi. Slogani “Buka e motmotit”, i marrë nga vetë Kurti, u bë refren për ministrin e entuziazmuar gjatë korrje-shirjeve. Por, përtej lojës me shifra të shkëputura nga konteksti, të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se as hambarët nuk janë më plot dhe as sipërfaqet e mbjella me drithëra nuk janë më të mëdha se në vitet pas pavarësisë.
Kjo tablo jo fort e lavdërueshme bie ndesh me politikat e subvencionimit. Edhe pse për vitin 2023 “sadakaja” nga shteti arriti rreth 16 milionë euro si shtysë për bujqit, rendimentet mbetën aty-aty me vitet paraprake – edhe importet po ashtu.
Në maj 2024, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural publikoi “Raportin e analizës ekonomike për prodhimet bujqësore 2024”, me synim pasqyrimin e shpenzimeve dhe përfitimeve në bujqësi. Nga të dhënat, në mënyrë të tërthortë pranohet se shteti po subvencionon një kulturë si gruri që është joprofitabile: të ardhurat për hektar janë 1,005 euro, ndërsa shpenzimet totale arrijnë 1,240 euro – pra rreth -235 euro për hektar.
Vetëm shtesa subvencionuese prej 484 eurosh e krijon “flluskën” e fitimit prej rreth 249 eurosh që supozohet t’i mbetet bujkut. Edhe pse misri del dukshëm më fitimprurës se gruri (rreth 276 euro/ha pa subvencion, dhe 605 euro/ha me subvencion), politikat publike nuk janë udhëhequr nga këto analiza. “Gruri” duket se ka qenë më i favorshëm për narrativat e regjimit të Kurtit dhe, me shumë gjasë, për ndërtimin e bazave klienteliste të votës.
Krahasimi me Maqedoninë e Veriut
Prej kohësh, ekspertët e huaj paralajmërojnë se “sadaka” në formë subvencionesh as nuk e rrit prodhimin, as nuk nxit konkurrueshmërinë e as nuk çon në shndërrime strukturore. Shembulli i Maqedonisë së Veriut është domethënës: atje subvencionimi për grurin është rreth gjysmës së Kosovës – afërsisht 200 euro për hektar (2023). Me rreth 70 mijë hektarë të mbjellë me grurë, gati sa Kosova, ekspertët në Maqedoni për sivjet parashikojnë 280–300 mijë tonë prodhim.
Nga këqyrja krahasimore del se Kosova dhe Maqedonia, me sipërfaqe gati të njëjta të mbjella me grurë, dorëzojnë prodhim thuajse të ngjashëm – me Kosovën që mban shifrat më të larta të subvencioneve në rajon. Sipas të dhënave: Maqedonia më 2019 prodhoi 239,916 kilogramë grurë (nga 68,959 ha); më 2020 – 246,031 kg (nga 69,902 ha); më 2021 – 243,208 kg (nga 70,515 ha). Ndërsa Kosova më 2019 prodhoi 284,999 kilogramë (nga 80,273 ha); më 2020 – 341,818 kg (nga 80,473 ha); më 2021 – 322,018 kg (nga 79,970 ha).
Tkurrja e sipërfaqeve me grurë
Megjithëse ish-ministri Peci ka folur për “rekorde” në sipërfaqe të mbjella me grurë, shifrat zyrtare të krahasuara me vitet pararendëse tregojnë tkurrje. Sipas pretendimit të tij, sivjet Kosova arriti rreth 75 mijë hektarë; vjet vendi kishte diku 53 mijë hektarë grunaja, teksa Peci u mburr për rreth 21 mijë hektarë më shumë këtë vit.
Të dhënat zyrtare megjithatë flasin për tkurrje graduale të sipërfaqeve me grurë: 2020 – 80,473 ha; 2019 – 80,273 ha; 2018 – 81,123 ha; 2017 – 80,519 ha; 2016 – 89,122 ha; 2015 – 89,942 ha; 2014 – 90,728 ha; 2013 – 101,846 ha; 2012 – 102,918 ha; 2011 – 79,928 ha; 2010 – 78,420 ha; 2009 – 77,938 ha; 2008 – 72,131 ha.
Faleminderit shtetit amë
Për aq sa arrin prodhimi i pakët vendor, dalja jashtë kufijve bëhet kryesisht falë Shqipërisë. Sipas të dhënave të vitit 2021, partneri kryesor bujqësor në eksport ishte shteti amë – Shqipëria. Tregjet e BE-së ende nuk e lëvizin dukshëm bilancin, ku importet e prodhimeve bujqësore janë larg më të mëdha se eksportet. Shifrat e vitit 2021 dëshmojnë një varësi të lartë nga importi.
Serbia mban pjesën më të madhe në furnizimin e tregut kosovar me produkte bujqësore – rreth 16%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 6%, Shqipëria me 3%, Bosnja me 2% dhe Mali i Zi me 1%. Sipas një përmbledhjeje nga Stephan von Cramon (Universiteti i Göttingen-it), hisja e bujqësisë në PBB për vitin 2021 ishte 6.9% – më pak se ndërtimtaria (8.5%), industria përpunuese (12.9%), tregtia (13.6%) apo financat dhe patundshmëritë (10.1%).
Ana tjetër e subvencioneve
Sapo heshtin trumpetat e “rekordeve”, vlerësimet e ekspertëve të huaj janë të ftohta për modelin e sadakasë. Sipas ekspertit gjerman Stephan von Cramon, ana pozitive është përputhshmëria formale me Shtyllën I të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së – pagesa të drejtpërdrejta vjetore për bujqit dhe masa tregu. Por, anët negative peshojnë shumë: këto pagesa shtrembërojnë vendimmarrjen e prodhimit, ngadalësojnë ndryshimet strukturore dhe nuk e rrisin potencialin konkurrues.
Sadaka po, kapital njerëzor jo
Sipas SARD (Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural) për vitin 2022, 70% e shpenzimeve shkuan në subvencione, 21% në grante, 3% në paga e shitje, 3% në projekte kapitale dhe 3% në mallra e shërbime. Subvencionet nuk janë shoqëruar me shqyrtim sistematik të efekteve (targetet, të hyrat dhe prodhimi), as me investime në kapital njerëzor, kapacitete institucionale dhe infrastrukturë me përfitime afatgjata.
Nevojë për ndryshim paradigme
Një dobësi kyçe e politikës së tanishme është mungesa e harmonizimit substancial me CAP-in e BE-së, përfshirë rritjen e kapacitetit analitik për vlerësime të bazuara në dëshmi dhe përmirësim politikash. Ekonomisti dhe njohësi i bujqësisë, Hans Kordik, vlerëson se Kosova duhet ta ndërrojë paradigmën e saj të mbështetjes: “pagesat e drejtpërdrejta dominojnë, por bëjnë pak për të fuqizuar konkurrueshmërinë dhe përmirësuar produktivitetin”. Sipas tij, rreth 105 mijë bujq menaxhojnë afër 50% të tokës së Kosovës; sektori punëson rreth 23% të fuqisë punëtore dhe kontribuon afërsisht 7.2% në PBB.
Shpenzojmë shumë, fitojmë pak
Meqenëse importi e mbyt eksportin, bujqësia rezulton ndër kontribuesit kryesorë të deficitit tregtar. Sipas Kordik-ut, Kosova shpenzon mesatarisht rreth 0.84% – dukshëm më shumë se mesatarja e BE-së (0.36%) dhe vendet fqinje: Shqipëria (0.19%), Bosnja (0.27%), Mali i Zi (0.29%), Serbia (0.36%) dhe Maqedonia e Veriut (0.56%). “Politika bujqësore e Kosovës ka nevojë për një ndërrim paradigme për të arritur objektivat strategjikë të SARD 2022–2028. Arkitektura aktuale e subvencioneve nuk përputhet me Marrëveshjen për Bujqësinë të WTO-së dhe nuk kontribuon në shndërrime strukturore.”
Profili: pak tokë efektive, shumë import
Rreth 52% e territorit të Kosovës (rreth 577 mijë hektarë) mund të përdoret për bujqësi. Brenda kësaj, 31% janë kullosa dhe 69% tokë pune. Në vitin 2020, toka bujqësore e përdorur ishte 420,210 hektarë. Profili bujqësor karakterizohet nga copëzimi i pronës: në vitin 2020 kishte 186,289 ferma, shumica të vogla, me mesatare rreth 3.2 hektarë. Këto dy rrethana e vështirësojnë rritjen e prodhimtarisë dhe futjen e teknologjive të përparuara.
Varësia nga importet është e dukshme, veçanërisht te gruri. Sipas të dhënave doganore, nga 1 janari 2022 deri më 30 qershor 2023, Kosova importoi rreth 150 mijë tonë grurë me vlerë mbi 48 milionë euro. Për të njëjtën periudhë u importua edhe miell gruri me vlerë rreth 10 milionë euro.
burimi: Nacionale
